Ndeshja vendimtare e grupit A në eliminatoret e Kampionatit Evropian mes Republikës së Çekisë dhe Përfaqësueses së Kosovës do të zhvillohet më 14 nëntor me fillim nga ora 20:45 në “Doosan Arena”.
Tashmë, Federata e Futbollit të Çekisë ka bërë përgatitjen e duhur për shitjen e biletave, derisa ka treguar edhe se si do të funksionojë sistemi i ri.
Pse do të shiten biletat drejtpërdrejtë?
Për arsye sigurie, nuk është e mundur që biletat të shiten në mënyrën e vjetër. Andaj, biletat në internet nuk janë fare në dispozicion.
Federata çeke ka bërë me dije se biletat do të shiten drejtpërdrejtë për shkaqe sigurie.
Numri një i futbollit çek Martin malik ka shpjeguar në detaje.
Për kë janë të destinuara biletat?
Derisa tifozët e Kosovës kanë 627 bileta në dispozicon ku do të munden t’i blejnë në Federatën e Futbollit të Kosovës, çekët do të kenë sistem më ndryshe.
Atyre do t’u kontrollohen edhe të dhënat personale në ditën e ndeshjes.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Federata çeke ua ka ndaluar hyrjen shtetasve të huaj, edhe atyre me leje qëndrimi në Çeki për ‘shkaqe sigurie’.
Metodat e shitjes së biletave?
Biletat elektronike nuk janë më në dispozicion. Tavolinat ku do të shiten biletat do të jenë të hapura çdo ditë të javës nga ora 09:00 deri 17:00.
Ndryshe, Biletat ndahen në tre kategori çmimesh. Më e lira kushton 11 euro për kategorinë III, për kategorinë II kushtojnë 19 euro, ndërsa për kategorinë I kushtojnë 29 euro.
Gjithashtu, në dispozicion ka edhe bileta VIP, të cilat mund të blihen që nga dita e nesërme.
Çmimi i tyre varion nga 97 euro deri në 135 euro.
Tifozët e Kosovës mund t’i blejojnë biletat përmes FFK-së, ku vetëm 627 vende janë të rezervuara për ta.