Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me sukses ka përfunduar kursin për Administratorë të Sportit. Ky Kurs është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Akademia Olimpike, ndërsa kanë marrë pjesë përfaqësuesit e FBK-së, si dhe të klubeve të basketbollit.
Në kursin e mbajtur gjatë fundjavës për dy ditë me radhë kanë ligjëruar Ibër Alaj, Drejtor i Departamentit të Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Fitim Arifi, Koordinator për Edukim në Akademinë Olimpike dhe Stavri Bello, Instituti i Kërkimit Shkencor në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe vëzhgues i basketbollit në FIBA.
Gjatë kursit është mësuar për Hartimin e suksesshëm të Planit Strategjik dhe zhvillimit të burimeve njerëzore.
Duhet theksuar se FBK është një nga vendet e rrallë në rajon që ka Planin Strategjik 2021-2025.
Pjesëmarrësit po ashtu kanë zhvilluar shumë detyra brenda kursit gjatë dy ditëve dhe në fund janë certifikuar si administrator të sportit, njofton faqja zyrtare e FBK-së. /2LONLINE/