Gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së re, është vënë edhe për familjen shtatëanëtarëshe të Ibush Zeqirit, në fshatin Devajë të Komunës së Vitisë, familje kjo e cila aktualisht jeton në kushte të vështira socio-ekonomike.
Meritorët e kësaj nisme, janë mërgimtarët e kësaj komune, të cilët me angazhimet e tyre humanitare kontribuon në zbutjen e gjendjes së vështirë materiale edhe të kësaj familjeve.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka falënderuar mërgimtarët e kësaj komune, duke i vlerësuar latë nismat e tyre, të rëndësishme dhe humane.
“Po fillojmë me ndërtimin edhe të kësaj shtëpie falë iniciativës së mërgimtarëve nga Komuna e Vitisë, të cilët, deri më tash, kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm.”, tha kryetari Haliti.
Sipas tij, shtëpia e Ibush Zeqirit është e 3-ta që do të ndërtohet në Devajë, kurse 43-ta, në nivel të Komunës së Vitisë.
Kreu i Komunës përmendi kontributin humanitar të mërgimtarit, Vezir Ramushit, me bashkëpunëtorët e tij,- po ashtu mërgimtarë, të cilët punojnë vazhdimisht për të zbutur varfërinë e familjeve në nevojë të kësaj komune.
Në shenjë falënderimi e mirënjohje për kontributin human të mërgimtarëve, kryetari Haliti, i dha mirënjohje mërgimtarit, Vezir Ramushit.
“Mirënjohja për kontributin tonë humanitar, neve mërgimtarëve, na jep kurajo për të punuar edhe më shumë.”, tha mërgimtari humanist, Vezir Ramushi.
Nga ana tjetër, kryefamiljari i cili pret ndërtimin e shtëpisë së re është shprehur i kënaqur që po i ndërtohet shtëpia, me ç’rast ka falënderuar kreun e Komunës, donatorët, dhe gjithë ata, që ishin të pranishëm.