Stavileci: Hapja e tregut të energjisë rrit sigurinë dhe balancon çmimin

Stavileci: Hapja e tregut të energjisë rrit sigurinë dhe balancon çmimin

E ardhmja e Kosovës, por edhe e shteteve të tjera është një treg i integruar i energjisë me veprime konkrete, që shtetet të kenë dy gjëra: sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë e çmimeve, ka deklaruar, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, në tryezën “Diskutimi për Liberalizimin e Tregut të Energjisë” të organizuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Ai tha me këtë rast se është botërisht e ditur që nuk mund të ketë transformim të sektorit pa një reforme të mirëfilltë ligjore, ndërsa shtoi se janë bërë hapa në kuptimin e liberalizimit të tregut dhe njëri prej hapave kryesorë që është bërë vitin e kaluar është transfuzimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë.

“Normalisht që procesi nuk ka përfunduar, madje besoj që sivjet do ta intensifikojmë edhe më shumë pasi që ne si Kosovë kemi presidencën e radhës në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ku sot patëm takim me përfaqësuesit e Sekretariatit në Vjenë, në mënyrë që ne të lëmë gjurmë edhe gjatë kësaj Presidence në kuptimin e qëllimeve të përbashkëta jo vetëm tonat, si shtet, por edhe të regjionit, pra në familjen e integruar evropiane sa i përket rrjetit të përbashkët të energjisë”, tha ai.

Sipas tij, hapja e tregut dhe parimet e një tregut të liberalizuar më shumë se çka do tjetër janë në funksion të kompletimit të këtyre dy objektivave siç janë siguria e furnizimit dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve.

Ndërsa, Theodore Heisler nga USAID-i theksoi se një sektor i qëndrueshëm me energji elektrike dhe furnizimi i pandërprerë paraqet rritje ekonomike. “Ligjet e reja sjellin dispozita të cilat sjellin liberalizimin e çmimeve të energjisë. Po ashtu parashohin masa mbrojtëse dhe një ekonomi të qëndrueshme familjare. Ky proces do të shkojë në konsultime publike. Synimi i asistencës së USAID-it është që të promovojë dhe të mbështes rregullore që rrisin ekonominë drejt liberalizimin e tregut”, tha ai.

Arben Kllokoqi, ekspert për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, tha se konsiderojnë se me hapjen e tregut në mes të kontratave të gjenerimit dhe rregullimit të rritet konkurrenca.

“Me këtë evolucion që të rriten pjesëmarrësit në treg Qeveria dhe Parlamenti duhet të krijojnë politika që të sjellin konkurrencë. Tani kompanitë duhet të menaxhojnë çmimin e tregut dhe rriskun, sepse me liberalizimin ZRrE-ja nuk do të jetë aty për të menaxhuar rriskun. Është shumë e rëndësishme që kushtet për të hyrë në treg duhet të jenë konkurruese me ato të vendeve të tjera”, tha ai.

KOMENTE