KMDLNJ ka reaguar me vendimin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga ku me 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës ka falur dy të dënuar prej 515 të dënuarve që kanë kërkuar mëshirë nga shteti, e që iu takon nëse i kanë plotësuar kushtet për falje të parapara me ligj.
”Më herët presidentja Jahjaga pati falur 15 të dënuar e që numri që janë falur nga presidentja rrumbullakësohet me 17 të dënuar. Nëse kemi parasysh se kanë qenë më shumë se 1200 kërkesa për falje, numri i të falurve është qesharak dhe i papërfillshëm”, vlerëson KMDLNJ.
Falja e fundit sipas KMDLNJ e vetëm dy të dënuarve nga 515 kërkesa është fyerje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të dënuar, tallje me pritjet e të dënuarve që presin, me të drejtë, që shteti ndaj tyre të demonstrojë faljen si akt mëshire të shtetit, nëpërkëmbje e tërë punës së punëtorëve të Shërbimi Korrektues të Kosovës që angazhohen në integrimin e të dënuarve në shoqëri përmes kalimit me sukses të procesit të risocializimit.
”Gjithashtu, kjo falje është edhe një shpërfillje e punës së organizatave për të drejtat e personave të privuar nga lira që ndihmojnë në risocializimin e suksesshëm të personave të dënuar. Falja e vetëm dy të dënuarve është shumë dekurajuese për më shumë se 1950 persona të privuar nga liria të cilët tashmë nuk do të binden se me sjellje të mira gjatë vuajtjes së dënimit mund të përfitojnë falje të dënimit. Ky veprim i pamatur, i papjekur i atyre që falën vetëm dy të dënuar do t’i shkaktojë probleme dhe vështirësi pikërisht Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe do të ndikojë në ngritjen e tensioneve në institucionet korrektuese të Kosovës”transmeton RTK.
KMDLNj shpreh mospajtim të thellë me këtë vendim të presidentes e cila është e ndikuar nga persona joprofesionalë dhe të cilët nuk kanë njohuri as nga më elementaret për të drejtat e personave të privuar nga liria. Edhe në shtetet diktatoriale ku ka shkelje drastike të drejtave të njeriut, personat e privuar nga liria përfitojnë më shumë në data të caktuara dhe të shënuara të atij shteti se që ka ndodhur në Kosovë.
Falja e vetëm dy të dënuarve është turp për komisionin “Ad-hoc”, turp për presidenten dhe këshilltarët e saj, turp për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe dështim i procesit të risocializimit të personave të dënuar. Me këtë falje Komisioni “Ad-hoc” dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga po e marrin rolin e gjykatës duke i dënuar përsëri personat e dënuar nga gjykatat e rregullta. Përfundimisht, në këtë mënyrë nuk luftohet krimi por stimulohet krimi!, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.