(2L ONLINE) – Në ambientet e Teatrit të Qytetit të Gjilanit sot është përuruar libri me titull “Nuk shkon veç mirë”, i autorit Blerim Misini. Në këtë libër me poezi, autori vjen natyrshëm në termin e letërsisë, që për nga vlera dhe përmbajtja e librit lë të kuptohet që ky është një poet me vlera të larta bashkëkohore, kështu është vlerësuar nga kritikët.
Ai ka përdorur një stil me tematikë artistike, letrare, por ka përdorur shumë mirë edhe metaforën, hiperbolën e në disa raste me mjeshtri ka futur në vepër edhe ironinë.
Me këtë rast Avni Rudaku, redaktor, recensent i librit ka thënë se sot po përurojmë librin e ikonës së Gjilanit.
“Ndjehem shumë mirë që sot po përurojmë librin e ikonës së qytetit të Gjilanit. Blerimi është i njohur nga Gjilanasit si një njeri i cili ka punuar me karrocë, njeri i cili ka shitur cigare nëpër rrugët e qytetit, por edhe njeri që ka shumë shoqëri të niveleve të ndryshme, e që së fundmi është edhe pjesë e artit me një vepër të punuar me mjeshtri, sinqeritet dhe një shembull nga realiteti i sotëm , ku secili e gjen veten në këtë libër”, ka thënë ndër të tjerash Rudaku.
Ndërsa lektori i librit Hysen Këqiku, ka spikatur detaje me të cilat është ballafaquar ende pa e hapur këtë libër, duke paragjykuar për mënyrën, kualitetin dhe rrjedhshmërinë e formulimit të poezive.
“Posa e hapa librin mbeta i habitur. Unë në fillim kam paragjykuar se çfarë ka në këtë libër dhe a është e lehtë të punohet deri në përfundim. Por sot po theksoj se të shkruash poezi nuk ka shkollë, sepse poeti Blerim Misini këtu në këtë libër ka paraqitur dashurinë për atdheun në mënyrë shumë të profesionale, pastaj afërsinë për familjen në përgjithësi, për prindërit, gruan – femrën, për shoqërinë, gjendjen ekonomike e sociale etj. por asnjëherë duke e futur veten në aspektin e lodhjes apo zhgënjimit, por gjithmonë duke shkruar në aspektin pozitiv dhe në aspektin e mbledhjes së fuqive për të punuar dhe për të mos u ndalur, ngase autori ka bërë të ditur që secili ka ndonjëherë ndonjë problem dhe se “Nuk shkon veç mirë”, tha ndër të tjerash Këqiku.
Për fund të pranishmit i ka përshëndetur edhe autori i librit i cili ka përshkruar detaje deri tek ardhja në dritë e këtij libri.
“Nga viti 2000 deri në vitin 2010, kam punuar me shumë vullnet në tregun e gjelbër si një punëtor, ku kam punuar me karrocë për të bartur mallrat e blera nga qytetarët atje. Por nga viti 2010 e deri më tani unë nëpër rrugët e qytetit, kafiteritë, dhe lokalet tjera kam shitur cigare, nga përvoja më ka rënë të njihem me shumë njerëz dhe të krijoj shoqëri të madhe. Gjatë shkollimit të mesëm kam pasur treguar aftësi të mira për lëndën e matematikës dhe lëndëve të tjera. Nga ky nivel i shkollimit unë kam nisur të shkruaj poezi dashurie e më pas edhe për aktualitetin në përgjithësi, përditshmërinë, keqkuptimet në dashuri, për familjen emocionin e lindjes së djalit, por edhe përshkrimin e jetës sime personale pra udhëtimin gjatë jetës. Sot ndjehem shumë krenar që kam nxjerrë një vepër falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së miqve, kolegëve, familjes dhe institucioneve”, ka thënë Misini.
Ndryshe ky libër është mbështetur edhe nga zyra e kryetarit të Komunës, por edhe nga individë të tjerë.
Është mundësi e madhe për lexuesit të kenë një libër në duart e tyre e që është me vlera të mëdha të të gjitha aspekteve letrare. /2L ONLINE/