Era Syla fiton Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2021, njofton Instituti ATOMI.
EGMO (European Girls’ Mathematical Olympiad) është garë e formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe konsiderohet gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës.
Për Kosovën kjo ishte pjesëmarrja e dytë me radhë, pas asaj të vitit të kaluar kur po e njëjta atomiste, Era Syla fitoi Medalje të Bronztë.
Ky sukses i jashtëzakonshëm i Erës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, i talentit të saj për matematikë dhe i punës së saj të palodhshme. Veç këtyre, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.
Prandaj, Instituti ATOMI iu shprehë mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kanë kontribuuar në realizimin e potencialit të Erës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj!
Me këtë rast një falënderim i takon Valmir Krasniqit, i cili në vazhdimësi ka përkrahur profesionalisht Erën, qoftë në kuadër të Institutit ATOMI por edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, në të cilën Era për 3 vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve që kanë arritur rezultatet më të larta në Kosovë.
Vlen të theksohet se përgatitja e ekipit të Kosovës, pjesëmarrës në EGMO 2021, është përkrahur financiarisht e jofinanciarisht nga Instituti ATOMI, përmes sponsorizimit nga kompania Alb-Architect.
Instituti ATOMI përgëzon Erën për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe i uron suksese edhe në të ardhmen! /2lonline.COM/