Presidentja, kryeministri e kryeparlamentari takojnë nënat e personave të pagjetur nga organizata “Thirrjet e Nënave”

Presidentja, kryeministri e kryeparlamentari takojnë nënat e personave të pagjetur nga organizata “Thirrjet e Nënave”

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministrin, Albin Kurti, si dhe Nënkryetaren e Kuvendit, znj. Saranda Bogujevci, pritën sot në takim nënat e personave të pagjetur nga organizata “Thirrjet e Nënave”.

Presidentja Osmani tha se të pagjeturit janë plagë e përbashkët.

“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Kryekuvendari Konjufca theksoi se dhimbjen për të pagjeturit e ndajnë të gjithë.

“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka theksuar Kryetari Konjufca.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti premtoi angazhim maksimal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, është shprehur Kryeministri Kurti.

Në emër të shoqatës “Thirrjet e nënave”, znj.Nusrete Kumnova falënderoi krerët e shtetit për pritjen dhe mirëkuptimin.

“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka thënë Kumnova.

Të tre liderët institucionalë, garantuan se do të vazhdojnë të jenë pranë nënave dhe familjarëve të personave të pagjetur dhe se prioritet i tyre do të jetë zbardhja e fatit të tyre si një parakusht për sigurimin e drejtësisë.

KOMENTE