Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se “Epopeja e UÇK-së” është epopeja më e madhe që nga koha e Hasan Prishtinës. Ai ka vlerësuar se “Epopeja e UÇK-së” ka ndryshuar historinë e Kosovës dhe popullit shqiptar.
Demaçi ka thënë se me flijimin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij botës iu bë e qartë se populli shqiptar është i gatshëm të vdesë për lirinë e vendit të vet. “Kjo është epopeja e madhe të cilën e bëri Adem Jashari me familje. Ai flijim ndezi zemrat e shqiptarëve dhe detyroi botën, miqtë tanë, ta shihnin të vërtetën”, ka thënë Demaçi në një intervistë për “Epokën e re”, me rastin e shënimit të 16-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Sipas tij, fatkeqësisht ka ende të atillë që nuk e kanë kuptuar rëndësinë dhe peshën e “Epopesë së UÇK-së”.
“Fatkeqësisht, ka të atillë që e dinë, por nuk duan ta kuptojnë sepse e kanë ndërgjegjen të vrarë dhe nuk duan ta kuptojnë këtë epope për shkak të paaftësisë së tyre që t’i vlerësojnë gjërat saktë dhe objektivisht, si dhe t’i vlerësojnë rrjedhat historike të cilat janë të pandalshme. Ata morën drejtim konservativ, mbeten me ato mendimet e dikurshme se ndaj Jugosllavisë nuk mund të luftohet dhe ndaj Serbisë nuk mund të fitohet. Ata nuk e njohën fenomenin e një populli, i cili ishte i vendosur për liri dhe i cili kishte ardhur në shkallën e vetëdijes se pa liri jeta nuk kishte kuptim”, është shprehur Demaçi.