Një nga autoritetet më të rëndësishme në botë për shëndetin mendor të fëmijëve ka paralajmëruar se teknologjia po e kërcënon zhvillimin e tyre përmes pengimit të marrëdhënies jetike të të mësuarit mes të rriturve dhe fëmijëve.
Peter Fonagy, profesor në Universitetin e Londrës, i cili i ka publikuar më shumë se 500 punime shkencore dhe 19 libra, paralajmëron se bota digjitale është duke e pakësuar kontaktin mes gjeneratave dhe kjo do të ketë ndikime negative në të ardhmen.
Fonagy është drejtor ekzekutiv i një qendre bamirësie dhe e ka studiuar zhvillimin e fëmijëve për më shumë se gjysmë shekulli.
Ai thotë se çrregullimet emocionale te vajzat e moshës 14 deri 19 vjeçare janë bërë më të shpeshta dhe tentimet për ta lënduar veten gjithashtu janë shtuar. Së voni është shënuar edhe rritje e rasteve të dhunës mes djemve.