Në Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pomozatin, sot ka përfunduar ushtrimi ndërkombëtar për kërkim-shpëtim urban të ekipit holandez.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri Shemsi Syla, zëvendës ambasadori i Holandës, Roland Goldberg, Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneralbrigade Naim Haziri dhe drejtori i Qendrës së Kërkim- Shpëtimit, John Doone si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të MM-së dhe FSK-së.
Në hapje të ceremonisë, Kryeministri Kurti theksoi se trajnimi që sapo ka përfunduar është pjesë e një rrjeti global aktivitetesh që na mundësojnë t’i përgjigjemi me shpejtësi të papriturave dhe duke e bërë këtë, të shpëtojmë jetë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se përkushtimi i Kosovës për partneritet dhe vendosmëria e saj për të kontribuar në zgjidhjet e përbashkëta është thelbësore. Ai shtoi se është krenar për aftësitë e klasit botëror që zhvillohen në Pomozatin, aftësi që janë jetike për shtetin tonë dhe partnerët tanë teksa përgatitemi për role që na takojnë në arenën globale.
Gjithashtu, Kryeminsitri Kurti theksoi se kjo Qendër do të ngritët në një Qendër të njohur Ekselence, duke i shërbyer partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe komunitetit më të gjerë global.
Ndërsa, zëvendës ambasadori i Holandës, Roland Goldberg, u shpreh falënderues për mikpritjen e ekipit holandez të kërkim-shpëtimit, i cili theksoi se ky ushtrim është shumë i dobishëm për bashkëpunimin e mëtejmë në mes të dy vendeve, në ngritjen e kapaciteteve të të dyja palëve për ndërtimin e gatishmërisë për tu përgjigjur situatave emergjente.
Qendra e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim e FSK-së vitin e kaluar ka ofruar trajnime për afër 3 mijë persona, në mesin e të cilëve krahas shtetasve tanë edhe qindra partnerë tjerë të huaj nga Shqipëria, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Jordania, Malta, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Portugalia, Turqia, Holanda, etj.
Në fund të kësaj ceremonie u bë prezantimi i kapaciteteve të Gardës Kombëtare, demonstrime për deminim, materie të rrezikshme, kërkim-shpëtim urban, male dhe ujëra, etj. /2LONLINE/