Edicioni i ri i garave në futbollin e femrave vjen edhe me format të ri. Ashtu siç ishte parashikuar më herët nga FFK dhe në koordinim e mbështetje nga klubet, edicioni i ri sjell formatin e ri të Superligës me 8 ekipe, teksa për herë të parë do të nisë së funksionuari edhe Liga e Parë.
Siç njofton FFK-ja, reforma e garave është bërë me qëllim të rritjes së cilësisë në garat e futbollit të femrave, por edhe nevojës për riorganizim të ligave.
Formati i ri vlerësohet se do të sjellë edhe organizim më të mirë të klubeve, por edhe baraspeshë më të madhe ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse në dy ligat.
“Komisioni i futbollit të femrave njofton të gjithë të interesuarit se afati për regjistrimin e klubeve të reja përfundon me 10 gusht, derisa transferimet e futbollisteve mund të bëhen deri më 25 gusht. Ndërkohë, tërheqja e shortit për edicionin e ri për të dy ligat do të bëhet më 15 gusht, teksa garat do të fillojnë më 27 gusht”, njofotn FFK.
Sa i përket Ligës U17 ajo do të vazhdojë me formatin e deritashëm me dy grupe. /2LONLINE/