(2LONLINE) – Ky është edicioni i 13-të i Festivalit, në të cilin për nëntë ditë rresht nga 18 deri 28 maj, do të organizohen 13 koncerte. Pos kësaj do ketë edhe një sërë aktivitetesh përcjellëse (punëtori, tribunë muzikologjike, promovime etj.). Koncertet do të mbahen ne Katedralen “Nënë Tereza”, Sallë të Kuqe dhe në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’. Siç dihet nga vitet e kaluara, ReMusica ka modifikuar fizionominë e saj. Programet e koncerteve, tash sajohen në bazë të një lidhjeje logjike dhe të natyrshme të muzikës bashkëkohore, muzikës së epokave tjera stilistike (para se gjithash të barokut) dhe gërshetimi i tyre me muzikën e krijuesve kosovar.
Motoja e re e ReMusica, e promovuar në vitet e fundit, mbështetet në principin e rifreskimit apo të regjenerimit të asaj të mëparshmes. Koha tregon se edhe rrymat më të suksesshme dhe më novatore të muzikës së Shekullit XX, në thelb janë reflektim indirekt i muzikës së dikurshme, me çka vetëm sa dëshmohet vazhdueshmëria e jetës. Indi i jetës është i pashkëputshëm.
Në edicioni e sivjemë, ballafaqimet stilistike janë edhe më të theksuara. Në të njëjtën mbrëmje kemi Variacionet madhështore Goldberg të gjeniut barokien, J.S. Bahut dhe veprat karakteristike minimaliste të viteve të fundit (Koncerti i pianistit holandez M. Worms). Në një mbrëmje tjetër kemi ballafaqimin e literaturës së re për tubë me Romantizmin muzikor, ciklin tërheqës “Stinët” të P.I.Çajkovskit, nën interpretim e pianistët më të spikatur sot në Shqipëri, Merita Rexha-Tërshana.
Përsëri në skenën e ReMusica-s kthehet miku ynë i vjetër Petrit Çeku, pas një mori suksesesh ndërkombëtare, që e bëjnë atë njërin prej dy-tre artistëve më depërtues kosovar në skenën botërore. Poashtu, sivjet prezantohen për herë të pare, disa nga artistët më cilësor të paraqitur në skenën muzikore kosovare në vitet e fundit. Ata janë: tubisti virtuoz Thomas Leleu, i zgjedhur si virtuoz i vitit 2012 në Francë, në French Grammy Awards; dhe Ansambli me renome botërore i perkusioneve ‘Krumata’, nga Suedia.
Përherë të parë në Festivalin ReMusica do të paraqitet një Trio polake me një program të amplitudës së gjërë stilistike, që nga Chopin e deri te vepra premiale e kompozitorit të ri kosovar Ardian Halimi.
Në Koncertin e Korit të filarmonisë së Kosovës, do të shënohet 105 vjetori i lindjes së kompozitorit Lorenc Antoni, e po ashtu edhe 65 vjetori i lindjes së Dirigjentit të këtij Kori, Rafet Rudit me premierën e veprës së tij më të re vokalo-instrumentale ‘Kurorë glëmbash’ (vepra e pestë nga Cikli Afresk arbëresh). Koncerti tematik pedagogjik, sivjet i kushtohet instrumentit të kitarës. Janë porositur nga kompozitorët shqiptarë një numër miniaturash për kitarë, të bazuara në muzikën popullore shqipe.
Veçanti tjetër e edicionit të sivjetmë, gjithsesi është koncerti “Pasdite korale”, ku do të marrin pjesë gjashtë kore nga Kosova.
Veçori e edicionit të sivjetmë është gjithsesi numri prej 300 pjesëmarrësve në 13 koncerte, me artist të shkëlqyer vendor dhe ndërkombëtar, ansamble dhe kore. Për më shumë, Tribuna Muzikologjike këtë vit do të shtjellon temën interesante të Artit Psaltik të shekullit XIII-XIV nga referuesja Meri Kumbe.
Bordi i Festivalit REMUSICA
Donika RUDI