Nën organizim të Ars Clubit “Beqir Musliu” dhe Bibliotekës së Qytetit, edicioni i 12-të, i Manifestimit Letrar ”Vjeshta Letrare e Gjilanit”, ka nisur këtë të shtune, me promovimin e librit të parë me poezi “Dhembjen lerma mua” të poetes Bleona Arifi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ky manifestimi i llojit të veçantë që tashmë është tradicional dhe ka fituar zemrat e artdashësve kudo që janë, e që do të zgjasë dy muaj, ka për qëllim që çdo të shtune të ofrojë mundësi për promovime librash, portrete shkrimtaresh e vlerësime letrare dhe edicioni i këtij viti, i cili u organizua duke respektuar masat anticovid, u nis në formën më të mirë, duke iu dhënë hapësirë përurimit të një libër të ri: “Dhembjen lerma mua” të një autore të re, Bleona Arifi, e cila nis rrugëtimin e saj poetik përmes këtij libri.
Fillimisht, për rëndësinë e këtij manifestimit foli kreu i Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, i cili ndër tjerash, foli për veçoritë e këtij manifestimi, duke përfshirë pikërisht edhe promovimin e krijuesve të rinj, të librave të rinj, ndërsa kur jemi te botimet ai tha se edhe ky vit, ndonëse i rënduar nga situata me pandemi, megjithatë mund të vlerësohet i frytshëm, pasi përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, janë nxjerrë në dritë 15 botime letrare, ku dominojnë librat me poezi, duke përfshirë këtu edhe vëllimin poetik të Bleonës.
Përndryshe, për librin në fjalë folën, shkrimtari Sabit Rrustemi, poeti dhe kritiku letrar, Arsim Halili si dhe u lexua edhe kumtesa e shkrimtares Albina Idrizi, e cila njëherësh është edhe redaktore e librit.
Në këto kumtesa u vlerësua poezia e Bleonës, ndërkohë që për vargun e saj në këtë vëllim, redaktorja e librit, Albina Idrizi, vlerëson se poezitë e përfshira në këtë libër, mahnisin me pjekurinë e vargut, thellësinë e mendimit, artikulimin e veçantë të emocionit. Subjekti lirik i këtyre poezive, që në të vërtetë vetëreferon autoren, meqë poezitë janë të shkruara në veten e parë, kundron dhe kupton njëkohësisht veten brenda një realitetit që e jeton, transmeton 2LONLINE.com.
Poezia e kësaj poeteje karakterizohet me një gjuhë të zgjedhur e të matur, me dezintegrimin e zhgënjimeve e mëdyshjeve deri tek një integrim plot vullnet e shpresë në një hapësirë, qoftë ajo edhe imagjinare, por e bukur dhe më të denjë, ku me semantikën e fjalëve, melodinë dhe rrjedhshmërinë e shprehjes, emocionin sublim që i përshkon ato si rezultat i eksplorimit të thellë shpirtëror, është kontribut në poezinë tonë bashkëkohore.
Përndryshe, Bleona Arifi, është absolvente e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe libri “Dhembjen lerma mua” është vëllimi i saj i parë me poezi.
Vëllimi poetik “Dhembjen lerma mua”, përbëhet nga tre cikle poetike ku dominon poezia me tematikë dashuria, ndërkohë që 2LONLINE.com sjellë për lexuesin njërën nga poezitë e këtij libri: /2LONLINE.com/
Heshtja u bë britma jonë
Unë ngreh në vete
të pathënat e botës
e ti vetëm heshtë
Provo
t’i zbusësh fjalët
Ta dish
ka për t’i kapërdirë
një e vërtetë lubi
që me dhëmbë s’mbahet
Dhembjen lerma mua
e shko
pa kthyer kokën mbrapa
Nuk do të flas më as unë
sepse
heshtja u bë britma jonë
/BLEONA ARIFI/