Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në Maqedoni, Lugina e Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri janë e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja jonë. Shekulli i XXI në të gjitha parametrat si strategjik, gjeopolitik i takon shqiptarëve të Ballkanit.
Shkruan: Izmi Zeka – 2LONLINE.com
Duke e parë këtë, mënyra e qasjes mes veti i përket tani më dijes politike dhe partneritetit me botën e zhvilluar. Historia nuk guxon të harrohet por edhe nga historia mund të mësohet përtej veprimeve ditore dhe pushteteve që ndërrohen në përditshmëri.
Politika institucionale e dy shteteve tona dhe përtej tyre duhet të shihet nga prizmi i zhvillimit dhe integrimit mbarë shqiptarë në portën e quajtur Evropë me standardet që sjellin afërsi dhe assesi plasaritje që dëmtojnë filozofinë historike të etnikumit Shqiptar.
Rasti i fundit i treshes së Ballkanit perëndimor të emërtuar “Ballkan Open” u shikua jo vetëm me rezerva por edhe me fyerje deri në banalitetet për KRYEMINISTRIN E SHQIPERISE, e jo për personalitetin e Edi Rama-s, siç po shkruhet.
Vajtimi historik duke jetuar me të kaluarën si peng po na shpërqendron në misionin historik që do duhej të kenë shqiptarët.
Ne mund të numërojmë padrejtësitë. Mund edhe në zyrat Botërore të përmendim Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, Konferencën e Paqes së Parisit por tani nuk mund të arrijmë të ndryshojmë ato gjëra që kanë ndodhë historikisht.
Është brengosëse një fakt kur ne ende nuk dimë çka paraqet Marrëveshja e treshes “Ballkan Open”, kur nuk kemi një dokument të shkruar, dalim dhe shpërfaqim opinione që në dijen time mund ti bëjnë vetëm ata të cilët nuk kanë përgjegjësi shtetërore por as edhe intelektuale.
Thënë çartë etiketimi i Kryeministrit Shqiptar si tradhtarë e çka jo, kjo më shumë i ngjanë sistemeve totalitare që shpiknin të paqena për ti dënuar rivalët politik dhe jo vetëm këta por edhe njerëzit e profileve tjera që nuk ishin në sinkron me idetë e tyre.
Kryeministri Shqipërisë tradhtarë. Sali Berisha patriot. Kjo është çmenduri e njerëzimit dhe e politikës shqiptare në përgjithësi. Aq lehtësisht biem në grackë të thashethemeve sa që shikuar nga këndi i analizës sistemore, politike, strategjike duket se maksimumi ynë është fitorja e Pirros në politikë.
Sado që ne fshihemi pas patriotizmit patetik dhe luftojmë për disa vota, Shqiptarët mbeten të harruarit e Evropës dhe botës së zhvilluar. Diktaturat në lindje nga paranoja zakonisht kanë shpallur tradhtarë edhe themeluesit e shtetit të tyre. Kjo që po ngjet tek ne Shqiptarët do të duhej të ishte e tej shkuar.
Praktika botërore e hapjes së një vendi dhe stabilitetit të tij arrihet kur çështjet diskutohen në tavolinë dhe ato mund të gjejnë zgjidhje, e kundërta e saj tek shtetet me histori të përgjakshme, lufta mund të rikthehet pavarësisht se kush është fajtor.
Një maksimë mjaft e dëgjuar kudo është se nëse ti nuk je aty, vendi zbrazët nuk mbetët.
Paksa hyra nga një temë në tjetrën por konstatimi im ka një emërues të përbashkët: padijen tonë në raport me zhvillimet e shpejta që po ndodhin në botë. Në këtë rast nuk do të përmendi lufta tjera, shembuj tjerë historik as edhe filozof të ndryshëm si na kë ëndja neve Shqiptarëve ti citojmë në çdo moment për të treguar se sa ne dimë dhe kemi lexuar.
Gjërat tani janë në një kontekst krejt tjetër. Kosova nuk është e vitit 2000 por mos harroni as SHBA nuk është e vitit 2000. Nëse në vitin 2000 kemi qenë prioritet numër një, sot kanë ndryshuar politikat strategjike të SHBA-së në raport me Ballkanin por edhe s’duhet harruar se tani janë shfaqur edhe probleme tjera në botë.
Të jetuarit me iluzionin në veçanti se Kosova është dhimbja e botës e në veçanti e SHBA-ve, këtë në një rast tjetër mund të ua argumentoj se kjo teori tani në këto momente bie poshtë! Po e them me një fjali: jo që SHBA-të nuk kanë interesim sepse ata edhe janë sponsorët dhe investuesit e shtetit të Kosovës por politika dekurajuese e jona dhe ndryshimet në Evropë e bëjnë që koha të mos punoj për ne.
Po kthehem nga fillimi edhe ku fillova. Çfarë jemi duke fituar tani? Të mbyllur, luftë politike e pa presedant, shfryrje deri në rrafshin ku njerëzit, fytyrat e ndryshme etiketohen si kriminel, vrasës, tradhtarë e deri në shitje e pazare të artikuluar qoftë në Washington apo diku tjetër. Kryeministri Shqipërisë tradhtarë. A thua çka shiti e çka bleu? Ku jemi ne aty në këtë farë marrëveshje të Ballkanit të hapur. A qenka mundësi e lehtë të shitet apo të blihet nga shtetet tjera Kosova?!
Për fat të keq në histori ne kemi pasur politikan që kurrë nuk i kanë kaluar kufijtë e vet dhe kanë mbajtur ligjërata se si duhet të jetë bota. Nuk jam fans i Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë por kjo nuk do të thotë që unë për interesa krejt banale të fyej Shqipërinë mëmë dhe Kryeministrin e saj. /2LONLINE.com/