Pas përfundimit të protestës së djeshme studentore, me kërkesa për largimin e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, pas aferës për avancime të tij e kuadrove të tjera universitare, u paralajmërua se ata do të vazhdojnë edhe sot dhe më vonë, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Durim Jashari, njëri nga liderët e kësaj proteste, tha se rezistenca e tyre do të vazhdojë për aq kohë sa ka mashtrues e falsifikatorë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.
“Nesër do të mbajmë protestë gjithëpopullore dhe marshi do të fillojë prej konvikteve duke filluar nga ora 13:00 dhe po ashtu edhe marshi tjetër i shoqërisë civile tek sheshi “Skënderbeu” në mënyrë që të bashkohemi të gjithë para Rektoratit”, theksoi ai.
Dje edhe Kuvendi i Kosovës u mor me problemin e UP “Hasan Prishtina”, por meqë dështoi miratimi i rekomandimeve për masat që duhet marrë për sanimin e situatës në këtë institucion, legjislativi do të merret edhe sot me këtë çështje./kohanet/