Partia Për Veprim Demokratik ka lëshuar një deklaratë për opinion me rastin e 26 vjetorit të kësaj partie dhe funksionimit politik. “Në këto 26 vite të luftës politike të PVD-së, për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e këtij rajoni u ballafaquan me sfida ekzistenciale në kushte të diskriminimit shtetërorë dhe shkatërrimit të përgjakshëm të ish Jugosllavisë, e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e PVD-së.
Më tej thuhet ne deklaratë se angazhimi themelorë i PVD-së në këto rrethana të jashtëzakonshme, i kompletuar me veprimtarinë e pushtetit lokal në Preshevë, të deputetëve në parlamentin qendrorë dhe të këshilltarëve të saj në Bujanoc dhe Medvegjë, ishte i orientuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të rrezikuar më shumë se asnjë herë në historinë e Luginës së Preshevës.
PVD ka akuzuar Partinë Demokratike Shqiptare që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa se kanë penguar kyçjen e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore dhe ka se PDSH ka bërë përçarjen e faktorit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës, shkruan Titulli.com.
Riza Halimi, kryetar i PVD-së ka përmenduar edhe takimin me mandatarin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit,Aleksandër Vuçiq që sipas tij delegacioni i PVD-së insistoi në realizimin e programit qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e posaçërisht në çështjen e përfaqësimit propocional të shqiptarëve në organet shtetërore, çështje këto të cilat në mënyrë efikase do të realizoheshin nëse udhëheqja e Trupit Koordinues i besohet në formë adekuate kuadrove shqiptare, transmeton Titulli.com.
“Është e njohur se mandatari i dha përkrahje kërkesave tona, andaj mbetet që ai si Kryetar i Qeverisë t’i realizojë qëndrimet e paraqitura në deklaratën e tij publike me këtë rast. Nëse realizohet kjo deklaratë e kryetarit Vuçiq, qeveria serbe do të bënte kthesë të rëndësishme pozitive në qasjen e saj ndaj Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi”, theksoi Halimi.