Shumë po prishen makinat, askush nuk po kujdeset për ti mbushur këto gropa, rrugët janë katastrofë, komuna s’po ndërmerr masa për me i mbush gropat. Këto janë fjalët që i dëgjon nga qytetarët nëse e hap këtë temë me ta, e tema të tilla dhe të ngjashme me këtë duhet hapur shumë më shpesh me qytetarët.
Qytetarët e kësaj pjese të qytetit i kanë të freskëta premtimet që u janë dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Pakot ushqimore që u janë shpërndarë atyre ditëve të nxehta në atë të ftohtë të madh janë harruar (edhe do të duhej).
Komuna nuk duhet të pres që qytetarët t’ua sjellin ndërmend dhe të ankohen për rrugët me gropa, për ndriçimin, kanalizimin, deponitë ilegale të mbeturinave si dhe për halle dhe nevoja të tjera.
Si këshilltarë i zgjedhur në përbërjen e tanishme të Kuvendit Komunal, nuk jam në Kuvend vetëm se me votat e kësaj lagjeje (unë jetoj në këtë pjesë të qytetit), rrjedhimisht nuk duhet të merrem vetëm se me brengat dhe nevojat qytetarëve të kësaj pjese të qytetit.
Mirëpo, nëse e krahasojmë këtë pjesë të qytetit me cilën do tjetër, atëherë do të duket qartë se kjo pjesë, në njëfarë mënyre, është e diskriminuar në raport me pjesët ose lagjet tjera.
Gjendja e mjedisit jetësor dhe e ambientit, sikurse në gjithë Komunën tonë është e rëndë edhe në këtë pjesë të qytetit, sepse mungon strategjia dhe konceptet për të bërë diçka në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit në fazën e pare, e mandej edhe të avancimit të tij në fazën tjetër.
Pra, ekziston një disharmoni e gjendjes së tanishme me një zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit jetësorë. Që të tria komponentët e mjedisit jetësorë ( ajri, uji, dheu) janë të rrezikuara dhe janë në gjendje alarmante.
Mjaft brengosës është fakti se edhe numri i deponive ilegale është mjaft shqetësues.
Komuna e Gjilanit mban përgjegjësi për të siguruar një të ardhme (edhe të tashme) më të avancuar, mban përgjegjësi për të plotësuar nevojat (bile ato më elementare) të qytetarëve, (edhe të kësaj pjese të qytetit). /2lonline/
Autori është këshilltar komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në KK të Gjilanit