Ndryshe, nxënës të shkollave të mesme të Gjilanit në mesin e tyre edhe nxënës të komunitetit serb, janë ulur të mërkurën në ulëse të këshilltarëve komunal të Gjilanit, duke pas përballë drejtues të komunës, si nënkryetarin e dhe kryesuesin e KK-së si dhe ekipin e qeverisë lokale për ta improvizuar kështu një seancë, për të shënuar Ditën e Demokracisë.
Fillimisht Omer Daku nënkryetar i komunës e më pas edhe Izmi Zeka kryesues i KK-së kanë njoftuar shkollarët për mënyrën se si funksionojnë institucionet e komunës për t’ju përgjigjur më pas edhe interesimit të nxënësve për çështje të ndryshme.
Nxënësit e pranishëm ishin shumë aktiv në paraqitjet e tyre duke shfrytëzuar këtë mundësi që në adresë të zyrtarëve komunal të adresojnë pyetje të ndryshme e në veçanti ishte në fokus përmirësimi i kushteve në arsim, për të cilën fushë madje ata ishin edhe shumë kritik.
Marigona Shabiu nxënëse e Gjimnazin fillimisht shprehu indinjatën e saj se pse në këtë takim i cili është paraparë pikërisht me shkollar mungon drejtori i arsimit, ndërkohë që shtroi si brengë mungesën e laboratorëve të informatikës, apo mosfunksionimin normal të tyre nëpër shkolla.
Ajo po ashtu ishte kritike edhe për mungesën e aktiviteteve rinore, ndonëse nga zyrtarë është përmendur se muaji shtator është muaji i rinisë, dhe shtoi se edhe ato aktivitete që janë, nuk duhet të mbyllen në grupe të caktuar të rinjsh, por duhet përfshirje sa më e madhe e të rinjve në jetën rinore në komunë.
Edhe nxënës të tjerë si Erdon Salihu, Laura Vranja, Blerta Ahmeti, Taulant Zeqiri e të tjerë, përveç brengave të tyre për kushtet në arsim, turnet e stërngarkuara, orën e shkurtuar të mësimit, mungesën e hapësirave shkollore e çështje të tjera që lidhen me arsimin, shprehën interesimin për ët mësuar më tepër se si funksionon KK-ja apo edhe drejtoritë përkatëse.
Përndryshe, edhe Kuvendi komunal në Viti ishte nikoqire e nxënësve të shkollës së mesme për të diskutuar për demokracinë dhe rininë. Po ashtu është organizuar një ditë e hapur dhe një prezantim për degën legjislative.
Gara për esenë më të mirë me temë për demokracinë ku do të marrinë pjesë nxënës të shkollave të mesme ishte paraparë të organizohen edhe në sallën e asamblesë komunal në Kamenicë. Po ashtu do të mbahet një ditë e hapur dhe një prezantim për degën legjislative po në këtë komunë.
Ditë e hapur do të organizohet edhe në sallën e asamblesë komunale së Novobërdës ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të OSBE-së, kryetari dhe nën-kryetari i komunës si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Ndryshe, Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me partnerët vendor ka organizuar këto aktivitete për nder te 15 Shtatorit – Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë./2lonline/