Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi është bërë objektiv i klubeve të njohura të Premierligës. Pas Tottenhamit dhe Manchester Unitedit, prizrenasit ia ka vënë syrin edhe Leicester City.
E përditshmja turke “HaberGlobal” shkruan se interesim për sulmuesin prizrenas së fundmi ka shfaqur edhe Leicester City, i cili po e kalon një sezon fantastik në Premierligë.
Madje, mediumi turk shkruan se skautë të Leicesterit e kanë vëzhguar Muriqin në ndeshjen e Fenerbahçes ndaj Gençlerbirligit të premten mbrëma. Muriqi i realizoi dy gola në atë ndeshje.
25 vjeçari ka arritur në kuotën e 13 golave në 14 ndeshje në të gjitha kompeticionet me ekipin nga Stambolli, të cilit i ishte bashkuar në muajin korrik nga Caykur Rizespor.
Krahas Leicesterit, thuhet se edhe Monaco e Eintracht Frankfurti i kanë dërguar skautët e tyre për ta shikuar ndeshjen në Stamboll.
Për sulmuesin kosovar flitej se janë duke e vëzhguar dy klubet angleze, Tottenhami e Manchester United, të cilët e kishin ndjekur përmes skautëve të tyre në ndeshjen Angli – Kosovë, e cila kishte përfunduar 5:3 për “Tre Luanët”.