(2L ONLINE) – Komiteti Politikë dhe Financa (KPF), të martën, në takimin e radhës, të cilën e ka udhëhequr kryesuesja e KK, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar janar-qershor 2014, propozim-vendimin për revidimin e zgjidhjes urbanistike të kompleksit të shkollave të mesme si dhe tri propozim-vendime mbi qasjen e hartimit të planeve rregulluese të hollësishme “Lagja e Spitalit”, “Qendra 3” dhe “Zabeli 1”, dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Opozita (PDK) e ka bojkotuar seancën, duke mos marrë pjesë në votim dhe as diskutim për pikat e rendit të ditës. Bujar Nevzati (PDK) tha se këtë po e bëjmë për shkak të mos pjesëmarrjes së kryetarit të Komunës dhe të drejtorëve komunalë në takimet e KPF, për t`iu dhënë mundësi atyre që të bëjnë pyetje.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e KK, sqaroi se kryetari nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të obligimeve tjera të punës që ka pasur gjatë ditës, duke nënvizuar se ne të tjerët jemi këtu për t`u përgjigjur në të gjitha interesimet e opozitës.
Raportin financiar e ka prezantuar drejtori për Buxhet, Salih Kqiku. Buxheti i përgjithshëm për vitin fiskal 2014, është 20.125.842 euro. Nga grandi janë planifikuar të sigurohen 16.345.842 euro, kurse nga të hyrat vetanake, 3,780.000 euro të tjera, ka thënë Kqiku.
Plani i të hyrave vetanake, në këtë periudhë është realizuar afër 107 për qind, ose rreth 7 për qind më tepër se vjet në periudhën e njëjtë, e që është për afër 45 për qind në krahasim me planin vjetor të të hyrave vetanake.
Ai ka prezantuar edhe raportin e shpenzimeve komunale, duke thënë se në këtë periudhë janë shpenzuar 9.8 milionë euro të buxhetit vjetor. Në përgjithësi ka ulje të shpenzimeve, të cilat te disa kategori, janë për 50-60 për qind më të vogla se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka thënë Kqiku.
Propozimin-vendimin për riorganizimin e hapësirës te shkollat e mesme e ka arsyetuar Mumin Kqiku nga Drejtoria e Urbanizimit, i cili ka thënë se ishte e domosdoshme të bëhet revidimi i zgjidhjes së miratuar në vitin 2012, për shkak të kërkesave të qytetarëve për të pasur qasje në këtë zonë, ku ata kanë prona si dhe nevojës për të planifikuar ndërtimin e një shkolle të muzikës brenda kësaj hapësire.
Kqiku ka arsyetuar edhe nevojën për qasje në planet rregulluese “Lagja e Spitalit”, “Qendra 3” dhe “Zabeli 1”, për t`i harmonizuar ato me planifikimin hapësinor, duke thënë se në këto tri zona, diku kishte plane të vjetra, e diku nuk kishte fare.
KPF është dakorduar që seanca e ardhshme e Kuvendit Komunal të mbahet më 30 korrik. /2l online/