Duke e ditur që në periudhën e muajve të verës vijnë shumë mërgimtarë për pushime dhe rritet interesimi për të frekuentuar lokalet afariste të qytetit, është mbajtur një takim i drejtuesve të komunës së Kamenicës me përfaqësuesit e lokaleve, policinë, përfaqësues të bashkësisë lokale si dhe banorëve të qendrës së qytetit.
Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka bërë me dije se: me që muajt e verës janë shumë të rëndësishëm për jetën sociale të qytetit por po ashtu kanë ndikim të madh edhe ekonomik, në mënyrë që të arrihet një mirëkuptim në mes të kërkesave të banorëve për rend dhe qetësi, në një anë dhe kërkesave të lokaleve për orar shtesë të punës, Komuna ka marrë vendim për disa veprime të cilat vlejnë vetëm për një kohë të caktuar.
Deri më datën 1 shtator 2018 do të vlejnë masat si në vijim
1. Orari i Punës së lokaleve afariste e hoteliere deri më datë 20 gusht zgjatet si më poshtë:
E hëne – e enjte dhe e diele deri në ora 24:00
E premte dhe e shtune deri në ora 01:00 pas mesnatës
2. Zhurma nga muzika duhet të jetë brenda niveleve të pranueshme me ligj. Kurse pas orës 22:00 duhet të reduktohet në mënyrë që të mos pengohen banorët dhe lokalet fqinje.
3. Në mungesë të kontratës për rrënim dhe në mungesë të inspektorit të ndërtimit, deri më 1 shtator bizneset që operojnë në këtë zonë duhet të lirojnë hapësirat publikë që po i shfrytëzojnë pa leje. Nëse kjo nuk bëhet nga vetë bizneset, Komuna do të detyrohet të ndërhyjë menjëherë sipas kompetencave të veta.
4. Secili nga lokalet afariste hoteliere duhet që në hyrje të loakalit të vendosin shenjën ku theksohet se personat nën moshën 18 vjeçare nuk do të shërbehen nëse nuk janë të shoqëruar nga një i rritur.
5. Duke e ditur që në këtë periudhë ka më shumë qarkullim me vetura, komuna do të zhvillojë një fazë testuese të bllokimit të qarkullimit 24 orësh të kësaj rruge. Gjatë kësaj faze do të zhvillohen matje dhe do të bëhen analiza rreth dobisë së këtij veprimi dhe mundësisë së shndërrimit në shesh të përhershëm.
6. Policia bashkë me zyrtarët komunal do të kenë angazhim shtesë pas orës 22:00 që të sigurohen që kjo marrëveshje po respektohet.
“Duke falënderuar banorët për tolerancën dhe konsideratën njoftojmë pronarët e lokaleve se në rast që e shkelin këtë marrëveshje, do të merren masa të menjëhershme dhe nuk do të ketë tolerime”, bënë të ditur Qëndron Kastrati.