Kompania Rajonale për Grumbullimin e Mbeturinave “Eco-Higjiena”, ka shënuar dhjetëvjetorin e punës së saj përmes një mbrëmje festive, ku kanë marrë pjesë, përfaqësues të Moser Group nga Austria, partneri privat i kësaj kompanie, menaxhmenti dhe punonjës të Eco-Higjienës nga të gjitha komunat që mbulohen me shërbime nga kjo kompania, zyrtarë komunal të komunave të rajonit, përfshirë këtu edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe mysafirë të tjerë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Siç dihet Kompania Eco–Higjiena është kompania e parë në Kosovë në fushën e pastrimit, e cila është themeluar sipas Marrëveshjes së Partneritetit Publiko-Privat dhe kryen shërbimet e pastrimit me një shtrirje gjeografike në territorin e Rajonit të Gjilanit. Aktiviteti i saj shtrihet në: Gjilan, Viti dhe Kamenicë ndërsa ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me Komunën Novobërdë, Partesh, Ranilluk dhe Kllokot.
Ajo ka selinë në Gjilan, është e themeluar më datën 23 maj 2012, ndërsa veprimtarinë e saj e ka filluar më datë 1 Korrik të vitit 2012.
Përndryshe, në këtë mbrëmje festive, austriaku Christian Moser nga Moser Group ua ka uruar të gjithëve këtë përvjetor jubilar duke i vlerësuar të gjithë për angazhimin e deritanishëm.
Ai tha se është punuar me vetëmohim dhe përkushtim të madh dhe më e rëndësishmja është punuar si një ekip andaj edhe janë rezultatet dhe të arriturat.
Mosrer shtoi se është mirënjohës për të gjitha sektorët që i kanë kryer punët dhe kanë ofruar shërbime të mira dhe kjo ka bërë që qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e këtyre shërbimeve, duke përmendur me këtë rast edhe inkasimin e mirë.
Ai tha se do të vazhdohet të jetë qëllimi shërbimi i mirë dhe klientela e kënaqur.
Edhe Gerhard Dummer vlerësoi angazhimin e secilit për të ardhur në këtë ditë, kur kjo kompani po e shënon dhjetëvjetorin e aktivitetit të saj, transmeton 2LONLINE.com.
Duke e vlerësuar secilin punëtorë të kësaj kompanie për angazhime te mira deri më tani, ai dha edhe një lajm të mirë, shpërblimin prej 100 eurosh, në këtë vit jubilar, për secilin të punësuar, por edhe një mbështetje/rritje të lehtë për shujta ditore.
I pranishëm në këtë ngjarje të shënuar për këtë kompani ishte edhe Arianti Sadiku, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, i cili i ka përgëzuar të gjithë, drejtuesit dhe punëtorët e kësaj kompanie, për këtë përvjetor të tyre, transmeton 2LONLINE.com.
Ai, në emër të kryetarit u ka shprehur urimet e sinqerta për dhjetë vjet të punës, si dhe e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme shërbimin që ofron kjo kompani, e që ndikon në jetën e qytetarëve dhe komunës dhe i ka vlerësuar punonjësit e saj për angazhimin e tyre.
Përndryshe edhe të tjerë vlerësuan punën e deritanishme të Eco-Higjienës, derisa drejtuesit e kësaj Kompanie u zotuan për vazhdim të përmbushjes së synimeve për ofrimin e shërbimeve sa më kualitative, në interes të qytetarëve dhe ambientit që i rrethon, në fushën e tyre të përgjegjësisë. /2LONLINE/