Xherdan Shaqiri është shpallur kampion i Evropës për të dytën herë në karrierë, pasi që skuadra e tij, Liverpooli, triumfoi ndaj Tottenhamit me rezultat 2:0 në finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.
Ky sukses i Liverpoolit bën që Xherdan Shaqiri ta shtojë edhe një tjetër medalje të artë të Ligës së Kampionëve në karrieren e tij.
27-vjeçari e kishte shijuar ndjenjën e të qenit kampion i Evropës edhe në vitin 2013, kur me Bayern Munichun e mposhti Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Por, një rekord që mund të mos i pëlqejë edhe aq shumë përfaqësuesit zviceran me prejardhje nga Kosova është që trajnerët e tij nuk ia kanë besuar asnjë minut lojë në këto dy finale.
Ai mbeti në stol për të gjithë ndeshjen edhe në vitin 2013 e edhe mbreme dhe kjo mund të jetë një “pikë e zezë” në karrierën e gjilanasit, dy herë kampion i Evropës.