Të martat po ikin e Gjilani akoma pa qeveri. Se Luta nuk gajlohet për Komunën dhe për qytetarët, këtë e kemi ditur dhe e kemi pare, po e shohim atë edhe sot. Kryetari Haziri, është aktiv dhe po duket e po dëgjohet gjithandej brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të Kosovës, si zakonisht me “folklorin” e tij të njohur, tash së fundi edhe me “hitin” e ri për “Kosovën e vjetër”, por në Gjilan jo, as zani nuk po i ndihet.
Shkruan: Shefik Surdulli / këshilltar komunal – PDK/
Kryetari Lutfi Haziri, para tri jave paralajmëroi me pompozitet, qysh di vetëm ai, se të martën pasuese do ta formojë qeverinë komunale, gjithëpërfshirëse, sipas tij, partiake-shumëngjyrëshe, me shoqërinë Civile, etj, “medemek” diçka krejt ndryshe qysh s’e kemi parë e dëgjuar deri më tani. Kaq! Por, të martat erdhën e shkuan, ndërsa komuna akoma pa ekzekutiv. Mund t’i ikë edhe kjo javë, ngase Lutës nuk i dihet as i ngutet.
Megjithatë shpresojmë që Lutës s’ia ka pi sorra mendtë, e të mos e bëjë qeverinë as këtë javë, në mënyrë që javën tjetër Gjilani të gdhihet me qeveri të re dhe të fillohet me punë.
Kryetari Haziri, duhet të tregohet më i sinqertë dhe më serioz për përgjegjësinë ligjore që e ka për krijimin dhe funksionalizimin sa më të shpejt të ekzekutivit të komunës, po gjithsesi edhe përgjegjësinë qe e ka para qytetarëve, para atyre që ia besuan edhe këtë mandat.
Qytetari hallexhi, tash e sa muaj nuk ka adresë në komunë, aty ku të paktën mund të rrëfehet, se jo që dot t’i zgjidhet ndonjë problem nga ky pushtet çorientues.
Sidoqoftë, qytetarët nuk duhet të mbeten peng të telasheve dhe problemeve të mëdha që ka kryetari Haziri brenda taborit të tij partiak, të LDK-së, lidhur me formimin dhe funksionalizimin e ekzekutivit të ri.