Paralajmërimet e opozitës për rrëzimin e qeverisë në pranverën e 2018-së, nuk duhet ti marrim serioze e as si gatishmëri e tyre për të qeverisë me vendin.
Shkruan: Ardian Azemi
Kosova ka para vetës procese të cilat kërkojnë angazhim, dinamikë të punës, vendosshmëri e seriozitet, prandaj partitë që kanë qeverisë me vendin para qershorit të këtij viti, nuk kanë mundësi të merren me këto tema, sepse saktësisht këta e kanë komplikua krejt punën edhe në rrafshin e brendshëm edhe në at të jashtëm.
Prandaj, zërat për prishje të qeverisë nuk janë “përnime” dhe as nuk duhet t’i marrim si qëndrime serioze, sepse edhe kauza e tyre është false.
Kujtojmë se qeveria e kaluar e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ishte një qeveri e cila do të mbahet mend gjatë për dëmet që i ka sjell vendit.
Nga fillimi i mandati e deri në rrëzimin e saj, çdo ditë, pareshtur, ka qenë e mbyllur për opinionin dhe kësisoj ka marr vendime e ka nënshkrua dokumente të rëndësishme pa u konsultua me askënd, dhe krejt në formë interne.
Unë nuk arrij të kuptoj sesi guxojnë LDK e PDK t’i japin të drejt vetes me i dhënë notë pozitive qeverisjes së tyre përgjatë këtyre viteve kur e njohim saktë gjendjen ekonomike, shëndetësore, gjyqësore në vend.
Nga të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i popullsisë më 2012, ku në mes tjerash thuhej se nga 1 milion e 800 mijë banorë rezidentë gati gjysma e popullatës e aftë për punë, apo 44.9 për qind, janë të papunë. Kurse 55 për qind llogaritet papunësia tek të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç. Shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë Kosovën e ka përcjellë që nga përfundimi i luftës.
Ne e kuptojmë se qeveria nuk hapë vende pune, por krijon kushte për investitorë të huaj, në mënyrë që të hapen vende të reja pune. Pra, investitorët janë trishtua nga pasiguria në Kosovë, dhe vendi ynë mbetet i pa zhvilluar dhe pa perspektivë për të rinjtë.
E ardhmja evropiane e Kosovës nuk varet nga vullneti i shteteve të BE-së, e as nga vet BE-ja si klub shtetesh, por varet nga gatishmëria jonë për ti kryer punët e shtëpisë. Kriteret e BE-së janë të pa negociueshme, andaj vendi ynë duhet të ndërmarr hapa konkret me një dinamikë të rreptë të punës në përmbushjen e tyre.
Nuk plotësohet kriteret duke u marr mes vete nëpërmjet rrjeteve sociale, duke u sha e shantazhuar. Kriteret plotësohen veç atëherë kur merren seriozisht.
Dihet botërisht që BE-ja nuk ka qenë e drejt në raport me Kosovën, porse ne jemi të pafuqishëm ti kundërvihemi, madje nuk e kemi as komoditetin ekonomik e politikë të vonohemi në këtë proces.
Pra, qeveria Haradinaj në vend të përballjes me mocione të mundshme, do të duhej të ndjente përkrahjen edhe të opozitës për agjendën evropiane.
Për fund Kosova para vetës ka një mori punësh që kërkojnë zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që mos të vonohemi edhe më shumë në rrugën e integrimeve.
Kur flasim për rrugën e integrimeve, nënkuptojmë përmirësimin e jetës së qytetarëve, krijimin e kushteve për investitorë të huaj, investim në shëndetësi, një gjyqësor të pavarur, arsim cilësorë etj.
Pra, kjo është e nevojshme të ndodh në Kosovë. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë pallavra, inate e gjuhë denigruese. E kemi obligim moral e njerëzor, kombëtar e politik, që bashkërisht të rinovojmë krejt këtë shkatërrim që është bërë tani e sa vjet.