Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës ka pranuar një informate se një person gjendet në emergjencën rajonale në Gjilan ku ka kërkuar ndihmë pasi që ishte i lënduar nga një rrahje të shkaktuar nga persona të njohur për të.
“Patrulla policore ka shkuar në emergjencë dhe ka intervistuar viktimën e rastit. I njëjti ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga dy persona nga fshati Kabash, Komuna Viti. Sipas viktimës personi i dyshuar fillimisht e ka kanos me armë e më pas i dyshimti tjetër, djali i tij, e kishte goditur me sëpatë në kokë viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas viktimës nuk është shtënë me armë zjarri.
Zëdhënësi Hashani thotë se motivi i rastit besohet të jetë ai që para disa muajve viktima kishte pas një zënkë me të dyshuarin. Personi i dyshuar L. M. është arrestuar dhe është sjelle në Stacionin Policor në Viti, ndërsa i dyshuari tjetër T. M. gjendet në arrati.
Viktima është duke u kuruar ne Emergjencën Rajonale në Gjilan, jashtë rrezikut për jetë. Rasti është duke u hetuar.