Shumë të rinj e të reja në Republikën e Kosovës, janë të talentuar në profesionin që e ushtrojnë. Shumë studentë edhe pse e kanë shumë të kufizuar pjesën praktike, në teori janë të përgatitur dhe të talentuar shumë.
Fikri Mehmeti
Mirëpo, nga politika aktuale tash e 18 vite ku dy subjekte politike herë njëra e herë tjetra, e udhëheqin vendin dhe këto dy subjekte kanë krijuar monopol në politikë duke punësuar militantët e tyre në pozitat kyçe, pozita prej të cilave kërkohet ta ndërtojnë dhe zhvillojnë vendin por në realitet ato bëjnë të kundërtën duke keqpërdorur pozitën zyrtare sa që kanë realizuar qëllimet e tyre duke i shuar shpresën çdo studenti për të kontribuar në politikë pasi t’i mbaron studimet.
Politika denigruese në vend e bënë që të mendojë vetëm se si ta gjejë një vend pune dhe të mos merret me diçka më shumë. Në sytë e shumicës së shoqërisë civile, studentëve dhe popullit, ekziston harta e dy subjekteve aktuale ku mendohet se gjithçka është në duart e tyre dhe nuk ka shpresa për dikë që të merret me politikë dhe në mënyrë profesionale ta kryejë detyrën e tij.
Në realitet, ky vend ka nevojë për popull që mendon. Për popull që nuk lejon dikë tjetër të mendon për ta, por ata vetë mendojnë për vetën e tyre. Kur populli të mendon lirshëm, arrin të shpreh atë që dëshiron, dhe arrin të dallojë të drejtën nga e gabuara. Në këtë rast do të hidhen hapat e parë për një koncept politik, diçka që i mungon klasës politikë e cila mendon vetëm për dominim, udhëheqje e keqpërdorim.
Ne jemi të ardhur nga një shoqëri civile e cila ka menduar dhe beson sinqerisht që ky vend ka nevojë për një udhëheqje të sinqertë. Ky vend ka nevojë për projekte afatgjatë, projekte jetësore. Projekte për të mirën e vendit, larg interesave partiake e personale.
Këtë mund ta bëjnë vetëm ata të cilët kanë koncept politik, vizion dhe vullnet seriozë për të punuar. Ne si Lëvizje jemi këtu ta shprehim vizionin tonë politik, vizionin e së ardhmes. Ne jemi këtu të mos vajtojmë probleme dhe përmes bashkëpajtimit me ju të arrijmë në pushtet. Jo!
Ne jemi këtu të ofrojmë zgjidhjen e problemeve dhe së bashku me ju ta ndryshojmë vendin nga politikë grupore në udhëheqje bashkëkombëtare.
Këtë nuk mund ta arrijmë sado që mund të kemi koncept seriozë dhe vullnet nëse nuk e kemi mbështetjen e pushtetit të vërtetë, e pushteti i vërtetë i cili vendos gjithmonë për fatin e vendit, është populli.
Vetëm me popullin përkrahë nesh, mund t’i thyejmë dyert e fortifikatave të ndërtuara mbi krim dhe korrupsion, mbi djersën dhe mundin e qytetarëve.
Përndryshe, sado që mundohemi nuk do të mund të bëjmë asgjë për vendin, nëse ne nuk bashkohemi për vendin. Ne jemi fytyra të reja kualitative që aftësitë profesionale do t’i përdorim për ta ndërtuar dhe zhvilluar këtë vend.
Autori është zëdhënës në Lëvizjen Qytetare Vatra