Prishtina dhe Drita kanë mbyllur edhe një xhiro të Superligës pa pranuar gol. Prishtina e arriti këtë gjë për herë të 11-të këtë edicion. Me bilanc tejet pozitiv në këtë drejtim është duke shkuar edhe skuadra e Dritës.
Më shumë se gjysmën e ndeshjeve të zhvilluara kanë arritur ti kufizojnë kundërshtarët për të realizuar gol në portën e tyre, madje Visar Bekaj ka arritur që në 270 minutat e fundit të mos pranojë fare gol.
Ndersa, Drita arriti ta mbante portën e paprekur në derbin ndaj Gjilanit, duke e dërguar kështu në nëntë numrin e ndeshjeve pa pranuar gol.
Falë mbrojtjes stabile, skuadra e Ballkanit e ka barazuar atë të Gjilanit në këtë aspekt. Të dy këto skuadra kanë arritur që ta mbajnë në tetë ndeshje portën e paprekur.
Skuadra e cila e ka mbrojtjen ‘shosh’ këtë edicion është ajo e Vushtrrisë. Për çudi ata kanë arritur që në tri ndeshje të edicionit mos të pranojnë gol dhe si për ironi të fatit njëra nga ato ndeshje ishte ndaj liderit aktual Ballkani.