Albin KURTI – Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje
Murat Meha ka kryesuar Komisionin e Kosovës për shënjim e mirëmbajtje të kufirit, pra për saktësim të kufirit, për demarkacion (në gjuhën malazeze ‘obilježavanje i održavanje’). Milan Paunoviq ka kryesuar Komisionin e Malit të Zi për përcaktim dhe vendosje të kufirit, pra për kufizim me Kosovën, për delimitim (në gjuhën malazeze ‘razgraničenje i utvrđivanje’). Meha ka përfunduar te misioni i Paunoviqit dhe Kosova i ka humbur 8.200 hektarë: Meha ka pranuar që ne ta dëshmojmë me libra kadastralë dhe vetëm me to që toka e jonë është territor yni, d.m.th. aty ku ne s’kemi ‘letra’ (edhe nëse as Mali i Zi s’i ka ato) ajo i takon Malit të Zi!
Deklarata e presidentëve Thaçi-Vujanoviq e 16 shkurtit 2018 është mashtrim i ri dhe jo marrëveshje e re. Megjithatë, për çështjen e ‘demarkacionit’ me Malin e Zi tash kemi dy zhvillime pozitive dhe dy rreziqe për gabim në hapa.
Zhvillimet pozitive që duhen përdorur janë:
+1. Ndonëse Deklarata Thaçi-Vujanoviq me përmbajtjen e saj nuk e korrigjon marrëveshjen e Vjenës së 26 gushtit 2015, me formën e saj ajo shpreh gatishmërinë e Malit të Zi për të biseduar. Ndryshe nga qëndrimi i mëhershëm malazez se ‘demarkacioni’ është çështje e brendshme e Kosovës dhe e mbyllur për Malin e Zi.
+2. Ndonëse Deklarata Thaçi-Vujanoviq me formën e saj vetëm sa konfirmon ndryshimin e kufirit, në përmbajtjen e saj ajo shpërfaq pranimin e Thaçit se ai me nënshkrimin në Vjenë ka gabuar dhe ka dëmtuar Kosovën. Ndryshe nga insistimi i tij i mëhershëm se ‘demarkacioni’ i Komisionit Meha nuk na humbte asnjë centimetër.
Rreziqet për gabim në hapa ku s’duhet rënë janë:
-1. Ndonëse flitet për korrigjime eventuale të shenjimit të kufirit nga Trupi i Përbashkët Punues, këto janë korrigjime potenciale vetëm të shenjimit të kufirit tashmë të ndryshuar e që pritet të ratifikohet, e jo kthim të kufirit në Çakor e Zhlep. Pra, korrigjime minimale prej dhjetëra metrave me rastin e saktësimit të kufirit të ndryshuar e jo korrigjim prej disa kilometrave të kufirit të ndryshuar. Rrjedhimisht, nuk ka kuptim ratifikimi i kufirit të ndryshuar e pastaj korrigjim eventual me rastin e shënjimit të tij. Duhet korrigjuar delimitimi i bërë gabimisht e pastaj të ratifikohet demarkacioni.
-2. Ndonëse ratifikimi i ‘demarkacionit’ është shtuar si kusht për liberalizimin e vizave, ai nuk është kushti i vetëm i mbetur. Kosova duhet ta luftojë suksesshëm krimin e korrupsionin me vendime të fundme gjykatash, gjë që do të merr bukur shumë kohë. Andaj, le ta plotësojmë këtë kushtin tjetër dhe në përmbyllje të tij, psh. në të njëjtën javë diku në dhjetor, e ratifikojmë edhe ‘demarkacionin’. Për më tepër, pse të mos e plotësojmë njëherë kriterin për të cilin kemi konsensus nacional, pra luftimin e krimit e korrupsionit, e mandej atë të ratifikimit të ‘demarkacionit’, për të cilin jemi të ndarë, apo jo?
Përfundimisht,
1) Mali i Zi ka pranuar të bisedojë;
2) Presidenti Thaçi ka pranuar gabimin;
3) Liberalizimi i vizave nuk bëhet pa rezultate konkrete kundër krimit e korrupsionit.
Atëherë, pse të nxitohemi paarsyeshëm ne afër dy milionë qytetarë të Kosovës? Vetëm një qytetari po i ngutet me arsye: Presidentit Thaçi, i cili do që krimin e tradhtinë e tij ta ratifikojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës.