Shumica e kosovarëve janë të bindur me të drejtë dhe një bindje të tillë edhe e kanë faktuar në zgjedhjet e fundit, se keqqeverisja dy dekadashe është një nga pengesat apo kërcënimet kryesore të përparimit të Republikës së tyre.
Shkruan: Arsim Kastrati
Por kjo nuk është pengesa e vetme dhe kryesore. Ky shtet nuk ka ngecur dhe prapashkuar vetëm për shkak të korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së institucioneve të tij.
Nëse në këto kohëra vorbullash të fuqishme në politikën ndërkombëtare, populli i Kosovës do ta pranonte rrëfimin politik sipas së cilit çështjet e korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së shtetit nga ana e një kaste të gjerë të politikanëve vendor janë aq dramatike sa që pozicioni gjeopolitik i shtetit të tyre ende të pa përfunduar bënë të neglizhohet, atëherë kjo është një lajthitje e rëndë politike, e qëllimshme apo e pa qëllimshme dhe gjithsesi tejet e rrezikshme.
Aspak për ta zbehur rëndësinë e dëmeve të padiskutueshme të keq qeverisjes në vendin tonë, do të përkujtoja këtu që asnjë nga vendet e rajonit nuk janë për tu lavdëruar për qeverisje të mirë në vendet e tyre, në ndërkohë që ato nuk e kanë sovranitetin politiko territorial të kontestuar sikur që e ka Republika e Kosovës dhe kanë më tepër hapësirë për adresimin e këtyre problemeve funksionale dhe demokratike.
Besoj që nuk është e tepërt të theksohet se kohëve të fundit jemi dëshmitarë të ngjarjeve kritike në politikën ndërkombëtare nga të cilat asesi nuk guxojmë të pretendojmë se vendi ynë do të kalojë pa ndikime çfardo qofshin ato.
Një rrëfim politik i plasuar ka kohë në hapësirën politiko mediale të Kosovës është që fajtorja kryesore për të gjitha të këqijat e pasluftës në vend është Partia Demokratike e Kosovës.
PDK edhe vet para zgjedhjeve të fundit mori përsipër përgjegjësi si asnjë parti tjetër politike për shumëçka që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës, por pa dashur që ta bëjë avokatin e saj, do të them se sa i përket korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së institucioneve të shtetit ajo nuk është në asnjë mënyrë fajtorja e vetme.
Të gjithë e dinë që kjo parti nuk ka qeverisur e vetme me Kosovën e pasluftës por gjithnjë në koalicion me LDK-në, me AAK-në, pastaj ka qeverisur AAK-ja me LDK-në, kështu që në këtë aspekt nuk do të duhej që të shihej vetëm një i vetmi fajtor ekskluziv.
Pastaj përveç këtyre dukurive keq qeverisëse kronike duhet menduar pak më tepër edhe për zhvillimet që kanë ndodhur në politikën kosovare në lidhje me konsolidimin e saj shtetëror dhe me imazhin ndërkombëtar të saj, prandaj kur i vlerësojmë partitë politike kosovare do duhej shiquar më me kujdes edhe në këtë aspekt.
S’do mend se edhe këtu nuk do të gjejmë një fajtor ekskluziv në mesin e tyre, por në këtë fushëveprim të rëndësishëm për ekzistencën dhe forcimin e shtetit të Kosovës disa herë kanë qenë pikërisht partitë opozitare ato të cilat me aktet e veta politike e kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të vendit dhe i kanë zvarritur proceset integruese të tij.
Mjafton të përmendet procesi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe sjelljet e partive të atëhershme opozitare AAK-së dhe VV-së karshi këtij procesi, vonesat e të cilit i lanë qytetarët e Kosovës pa liberalizim të vizave, të cilat fatkeqësisht edhe pas plotësimit të kushteve të kërkuara nga ana e saj BE-ja nuk na i dha arbitrarisht dhe padrejtësisht!
Për shumëkënd në Kosovë mbase me të drejtë, ende ka paqartësi në lidhje me ate se ku i bie në të vërtetë vija kufitare në mes vendit tonë dhe Malit të Zi, por kur zyrtarët më të lartë të SHBA-së këshillonin pandërprerë dhe sekretari i saj i shtetit, përndryshe mik i dëshmuar, pat ardhur personalisht në Kosovë dhe insistonte që kjo marrëveshje të nënshkruhej, atëherë ma merr mendja që vendi ynë nuk do të duhej ta lejonte vetveten që të binte në pozicione politike kundërshtuese me shpëtimtarin dhe mbrojtësin e saj të madh.
Për më tepër, anëtarësimi i vendit tonë në OKB dhe në NATO dhe njohja zyrtare nga Serbia, janë procese politike tejet të rëndësishme dhe vendimtare për fatet tona, procese këto që nuk do të ndodhin pa kompromise dhe asnjëherë pa përkrahjen amerikane.
Si përfundim do të shtoja që Kosova jonë po vazhdon të përballet me dy sfida të rënda përnjëherësh: me keq qeverisjen e brendshme, ku unë i fus edhe vonesat e gjata dhe të pa arsyeshme në formimin e institucioneve pas zgjedhore, në një anë dhe në anën tjetër me shtetësinë e pa përfunduar dhe të kontestuar nga Serbia, një pjesë e vendeve të Europës dhe shumë vende të tjera të botës, dy nga të cilat Kina dhe Rusia janë edhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Të dy këto sfida gjithsesi të ndërlidhura e kanë rëndësinë e vet dhe çdo qytetar i interesuar i Republikës së Kosovës i gjykon ato sipas kënd shikimit të tij/saj, por mbase në asnjë mënyrë nuk do të ishte mirë që të neglizhohet njëra ndërsa fokusi i mendimit dhe veprimit politik të bartet vetëm tek tjetra, sikundër që as vlerësimi i partive politike po ashtu nuk do të ishte mirë të mbështetej në bazë të performancës së tyre karshi vetëm njërës apo tjetrës sfidë.
Një psikolog i shekullit të kaluar e ka lënë një shprehje të famshme e cila thotë: “nuk bënë që së bashku me pelenat e pa pastra, të hidhet edhe foshnja për dritare te jashtë!”.