Fundin e muajit shkurt 2019, Shtëpia botuese “Beqir Musliu” nga Gjilani, e përmbylli me dy tituj librash. Emra tashmë të njohur të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjerë, Nexhat Rexha e Sinan Sadiku, për lexuesit dhe bibliotekat tona, sjellin vëllimet e reja poetike, “Duke kërkuar hijen tënde”, përkatësisht, “Nata rri zgjuar”.
Për Nexhat Rexhën , vëllim i ri poetik, “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE” është libri i 16-të me radhë, përfshirë këtu edhe disa vëllime librash me kritikë letrare dhe botime të përkthyera në gjuhë të huaja e antologji poetike. Ndërsa për Sinan Sadikun, “NATA RRI ZGJUAR, është libri i tij i tretë me poezi dhe, i katërti deri më tash, përfshirë këtu edhe një libër studimor letrar.
Dy vëllimet poetike, me veçantitë e tyre letraro – artistike, shquhen edhe për një përgatitje të lartë profesionale nga stafi i Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, po edhe përgatitjes teknike nga ana e shtypshkronjës STAR PRINT nga Prishtina dhe kopertinat e realizuara nga dizejnatori Rafet Kosumi.
Botimin e këtyre dy vëllimeve poetike, e ka ndihmuar pjesërisht edhe Komuna e Kamenicës, përmes Zyrës së Kryetarit të Komunës, z. Qëndron Kastratit.