“Në korrik 2012 startoi partneriteti i parë në shërbime komunale midis Komunës së Gjilanit dhe Moser-Group nga Austria, për një periudhë prej 15 vitesh. Tani kemi në dispozicion raportin vjetor për 2017 dhe është koha për një pasqyrim të raportit kalimtar“, thotë Gerhard Dummer, përfaqësues i partnerit austriakë në Eco-Higjiena.
Sipas tij, në vitin e parë operativ të partneritetit, janë grumbulluar 24.400 tonë mbeturina dhe u dërguan në deponi. Në vitin 2017 u arrit sasia prej 30.800 ton. Kjo është një rritje prej 26%. Tarifat për deponim të mbetjeve në këto 6 vite ishin 860.000 €.
Në fillim ishin në Eco-Higjiena 143 të punësuar dhe përkundër disa ndryshimeve janë akoma 147 të punësuar, të cilët punojnë në shërbim të qytetarëve të Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Novobërdës. Pagat janë rritur dy herë që nga viti 2012.
U përfundua objekti i ri dhe ndërmarrja u zhvendos nga qendra e qytetit në periferi. Që nga ajo kohë janë blerë 5 kamionë modernë dhe 4,100 hedhurinarë për amvisëri dhe biznese dhe u përmirësua shërbimi në të gjithë sektorët.
Shkalla e inkasimit që ishte 35 % në gjysmën e par të vitit 2012, ne permanet arritëm të ngrisim në 82 % në viti 2017. Këtu ka ende shumë për tu bërë. Sipas ligjit, të gjithë qytetarët dhe bizneset janë të obliguar të paguajnë tarifat e mbeturinave. Kjo është detyrimisht e nevojshme, në mënyrë që shërbimi të kryhet rregullisht, mirëfilltë dhe përherë të përmirësohet.
“4,300 klientë kanë rregulluar çështjen e borxheve të tyre të vjetra me ne, në këto vite të fundit. Mirëpo, ka akoma rreth 5,6 milion € borxhe të vjetra nga klientët. Tashmë është filluar t’iu dorëzohen këto pretendime përmbaruesve privat. Megjithatë, ne preferojmë zgjidhjet individuale me klientët tanë për t’ju kursyer shpenzimet dhe shqetësimet“, thotë Gerhard Dummer.
Sipas tij, në 6 vitet e fundit kompania Eco-Higjiena nuk ka marrë asnjë Euro subvencion nga komuna apo qeveria. Partneri privat, me kalimin e kohës gjatë kësaj periudhe shpenzoi € 950,000 në këtë projekt.
Ai thotë tutje se që nga viti 2014, të paktën kostot operative mbulohen nga të hyrat aktuale. Por, kjo është e pamjaftueshme në periudhën afatgjate. Për të qenë në gjendje të zëvendësojmë vazhdimisht automjetet e amortizuar dhe hedhurinarët e dëmtuar, ne ende kemi nevojë për një rritje të të ardhurave prej 15,000 € në muaj. Kjo është e mundur nëse të gjithë qytetarët dhe kompanitë rregullisht paguajnë taksat e tyre.
“Shumica e këtyre sukseseve ishin të mundshme të arrihen vetëm përmes menaxhimit profesional dhe punës së përditshme të punonjësve tanë. Për këtë dhe për të gjitha planet e përbashkëta të realizuara si dhe përmirësimeve të arritura, dëshiroj të falënderoj të gjithë punonjësit, menaxherët dhe partnerët“, thotë Gerhard Dummer, i cili e ka shoqëruar zhvillimin e ndërmarrjes që nga fillimi dhe i cili që nga 2.1.2017 është gjithashtu kryetar i bordit në Ndërmarrjen Eco-Higjiena.
Sipas Dummer, që nga viti 2014, ekzistojnë mosmarrëveshje mbi kontributet e kapitalit të partnerëve dhe shpesh përzihen mollët me dardha. Nëse vlerësohen kontributet të cilat janë në dispozicion të kompanisë së përbashkët për përdorim, partneri publik ka kontribuar deri më tani 880,098 € ndërsa partneri privat 945,843 € .
Nëse merret parasysh vetëm kontributi i cili është i lirë nga mangësitë ligjore atëherë, partneri publik ka kontribuar 334,942 € kurse partneri privat 521,117 €.
Kërkesa e partnerit privat për miratimin e investimeve të mëtejshme prej 1 milion euro në tregun e gjelbër dhe 400,000 euro në ndarjen e mbetjeve, nuk u miratua nga komuna e Gjilanit.
Ai thotë se përkundër shumë përpjekjeve për ndërmjetësim, ekspertizave dhe takimeve të grupeve punuese, ende nuk ka pajtueshmëri për kontributet kapitale. Është fakt i palëkundshëm, dhe këtë e konfirmoj edhe z. Jetishi në konferencën e tij për shtyp, se të dy partnerët nuk i kanë plotësuar plotësisht detyrimet e tyre sipas kontratës.
“Që nga korriku 2016, janë bërë 18 padi penale nga përfaqësues të partnerit publik ndaj menaxhmentit dhe përfaqësuesve të partnerit privat, dhe në vazhdimësi behet përpjekje për të shkaktuar telashe dhe për të diskredituar austriakët si dhe kompaninë. Takimet e Bordit dhe Kuvendet e Përgjithshme bojkotohen nga disa prej të emëruarve të komunës prandaj, përfaqësuesve të komunës u mungojnë të dhënat e sakta dhe informacionet e rëndësishme”, thotë tutje Dummer.
Sipas tij, ka 2 vjet që nuk ka asnjë kontratë afatgjate për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe përkujdesjen e shtretërve të lumenjve, rrugëve dhe monumenteve kulturore por, vetëm marrëveshje kalimtare për shërbime emergjente. Tenderi është anuluar 3 herë ! Komuna kursen shumë para në këtë mënyrë dhe ato kursime mund t‘i përdorë për projekte të tjera mirëpo, shumë pjesë të qytetit janë lënë pasdore dhe tanimë janë degraduar.
“Kam përshtypjen se, Gjilani po punon në mënyrë intensive për të dëbuar partnerin austriak, përderisa qeveria dhe shumë komuna po përpiqen intensivisht të tërheqin investitorë të huaj“, thotë Gerhard Dummer.
“Nëse përfaqësuesit e komunës besojnë se ata mund ta udhëheqin kompaninë më mirë atëherë, ne si austriak me siguri se nuk do t‘u bëhemi pengesë në këtë rrugë . Mirëpo, ne duhet së bashku vetëm të biem dakord për zgjidhje të drejtë dhe kompensimin të 51% të aksioneve dhe kontributeve të realizuara. Çdo rrugë tjetër për marrjen e shumicës, në bazë të ligjit për mbrojtjen e investitorëve të huaj, qojnë në arbitrazhin ndërkombëtar“ , thotë i bindur Gerhard Dummer.
“Unë personalisht ndjej keqardhje nëse partneriteti dhe sukseset e arritura të deritanishme, hedhen poshtë për shkak të interesave personale të individëve. Megjithatë, Moser-Group është gjithmonë i gatshëm për bisedime në të mirë të zgjidhjes së problemeve të hapura ose për marrjen e 100% të ndërmarrjes nga ana e komunave“, thotë Dummer.
“Në fund të fundit, kjo është në duart e kryetarit, që përfaqësuesit destruktiv t‘i zëvendësojë me ata konstruktiv dhe të përkushtuar për të sjellë vrull të ri në bisedime dhe për përmirësim të marrëdhënieve të trazuara“ përfundon ai.