Derbi i javës së 15-të, i Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, në mes të Ballkanit dhe Dritës, i ka takuar skuadrës gjilanase, e cila e ka mposhtur skuadrën vendëse, në një ndeshje me plotë pesë gola.
Epilogu i këtij takimi:
Ballkani – Drita 2:3.
Duket se Drita këtë vit ka ndërtuar skuadrën e tillë që nën drejtimin e timonierit Zekirija Ramadani, po rrugëton sigurt drejt titullit kampion dhe nuk ka kush e ndalë.
Ballkani, aktualisht e dyta në tabelë, ishte “viktima” e radhës e skuadrës bardh e kaltër nga Gjilani, e cila me këtë fitore ka rritur diferencën e pikëve si lider, ku është përforcuar edhe më.
Tani, Drita me këtë fitore ka të grumbulluara 34 pikë duke e lënë pas Ballkanin me 26 pikë, pra plotë 8 pikë më shumë.
Me kualitetin që ka skuadra e trajnerit Ramadani, me lojërat dhe me rezultatet e deritanishme, nuk ka dyshim se kjo skuadër po bënë hapa të sigurt drejt titullit kampion, ani se për këtë është herët të flitet, por nga ajo që është parë deri më tani, diferenca po shihet.
Sidoqoftë, në të kaluarën kanë ditur të shkrihen dallimet në pikë dhe deri në fund është rrugë e gjatë, por mbi bazën e asaj që është luajtur deri më tani, Drita s’do mend se është pretendenti kryesor për titull kampioni. /2LONLINE/