Agim Sopi me tërë atë kastë bashkëpunëtorësh na e kanë lënë një trashëgimi të vërtetë kulturore. Është një dokumentim i saktë i gjendjes psikike në vitet e 80-ta të një kombi të shtypur me shekuj.
Ridvan Bunjaku
Një kombi që i mbijetoi të gjithave dhe qëndroi në tokën e vet. Sidomos tani kur na ka kapluar interneti dhe rrjetet sociale, ky komb me moshë mesatare të re, e ka shumë lehtë t’i harrojë e të mos mirret me të kaluarën e vet. Por kush nuk mëson nga jeta, është i destinuar të ngelë dhe t’i përsërisë mësimet.
Agimit ia pata bo ni anagram te Anagrame artistike – QIRINJ:
‘AGnuS dei’: MIOPI për ‘institucionet’ tona
Në mungesë të Facebook-ut, e kontaktova me SMS-a dhe u takuam te Teatri Kombëtar i Kosovës. Agimi ishte plotësisht i njerëzishëm dhe nuk vërejta as më të voglën ego ndaj meje për shkak të pozitës apo arritjeve. Përkundrazi, ishte takim i ngrohtë e shumë dashamirës.
Ndër të tjera më tregoi për “Njeriun prej dheut”:
Filmi i vetëm i ndaluar nga Tri Kryesitë e Jugosllavisë, pra niveli më i lartë shtetëror atëbotë
Kishte qenë shumë afër burgut 20-vjeçar. Shefi i tij artistik iu kishte thënë të gjithë të tjerëve të mos shoqëroheshin me të sepse “mund ta hajnë edhe ata”
“Vetëm ky (dhe tregoi me gisht kah një fotografi e madhe e Ibrahim Rugovës që e kishte në zyrën e vet të drejtorit të TKK) më ka taku, dhe i jam shumë borxhli. Jemi taku te kafe ‘Elita’. Mendojsha se po don m’u taku 2-3 herë për ndoj mesazh të fundit apo ku ta di, por ai u takua 2-3 javë rregullisht. Rreth nesh tavolinat tjera të mbushura me ‘sigurimca’ që dëgjojshin dhe inçizojshin. Ne flitshim për letërsi, art. Jo për politikë, as për filmin. Kjo ka qenë mesazh për pushtetin nga ai njeri i guximshëm, që ma pat aprovu filmin, se ky njeri nuk është vetëm.”
“Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Ai ka qenë vëllau i gjyshit tim. Unë pata ardhë nga Polonia, dhe baba më mori me veti me lypë, se thuhej se kishte ardhë në Kosovë”. Ma shpjegonte se arti është art i vërtetë vetëm kur çmohet nga bota. E pyeta a janë këto vlerat universale. Tha se në fakt, sa më unike, më e tabanit të jetë tema, aq më shumë vlerësohet në botë. Japanit, tha, i intereson se si e shikon ky popull jetën pas vdekjes, sepse edhe ai i ka ato preokupime.
“Vëllau i gjyshit i ka ndërru katër nënshtetësi dhe prapë s’ka mujtë m’u kthy n’Kosovë i gjallë. Ka lonë amanet pasuri të madhe që eshtrat me ia kthy. Dhe i janë kthy. Na nuk e kemi ditë, dhe me babën dulëm me lypë, se shumë njerëz thoshin që e kanë pa. Dhe jo vetëm një, por shumë, në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës”. E pyeta, “Ti a iu besojshe apo veç shkojshe me babën?” Tha, “paj, njeri të thojke që e kom pa, tash…”
“Pas dy muajve na erdhi letra se ai kishte pasë vdekë.”
Filmin ‘Agnus Dei’ nuk e ka në youtube. Madje as në DVD nuk e kishte. Veç në format për kinema. Merre me mend. Për shkak të miopisë së institucioneve tona, ne nuk mund ta shohim një film që është dërgu në gati 200 festivale ndërkombëtare dhe i ka marrë gati 100 çmime. Ambasador i vërtetë i kulturës e i asaj që ka ndodhë në Kosovë. Por, filmin “Njeriu prej dheu” e gjeta në YouTube, me titra anglisht bile:
Filmi më ka tronditur. Ishte film i vetëdijesimit të shikuesit, i paraqitjes së të vërtetës së madhe e të fshehur kaq mirë nga armiqtë tanë, se sa larg, deri në çmendurim ka shku presioni e represioni i tyre ndaj këtij populli të shkretë për me zhdukë plotësisht nga kjo faqe e dheut. Si duket Agim Sopi do të ishte ‘i burgosur i vetëdijes’, siç ka qenë Ukshin Hoti.
Gjithsesi, në vijim është një observim i filmit nga një perspektivë mbi 30 vjet pas prodhimit të këtij filmi të 1984tës.
Filmi e paraqet fatin e hidhur të shumë familjeve, të kombit shqiptar nga Kosova, të cilët detyrohen të emigrojnë me dhunë, nga presioni me kërcënim për vdekje, nga Kosova në Turqi. Në Turqi asimilohen dhe përdoren si fuqi punëtore për punët që “nuk i bën askush tjetër”, siç është varrmihja. Atje, shumë nga ta zhveshen nga dinjiteti, karakteri e morali, duke u bërë profiterë ordinerë që kqyrin të nxjerrin fitim edhe nga një plak që i ka vdekur gruaja, duke e reduktuar kështu varrimin e kultin e vdekjes në nivel sikur të shisnin çokollata.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e tmerrit nëpër të cilin kalon kombi i shtypur. I biri i Sokolit duhet të ri-emigrojë nga Turqia në Gjermani për të punuar, për t’i mbajtur fëmijët. E lë gruan me dy fëmijë, me babën që natyrisht, nuk mund ta ruajë gruan nga amoraliteti.
Gruaja, që duket të jetë një turke e martuar me Bardhin për ndonjë interes, apo shqiptare e arritur më herët në Turqi, dhe më e asilimiluar, ashiqare bjen ‘njerëz të huaj’ në shtëpi, të cilët nuk i ikin pa i vërejtur as vajzës që është në moshë të vogël.
Tmerri vazhdon më thellë. Bardhi, djali i Sokolit, ishte dashur me një vajzë në fshatin e vet në vendlindje, Tringën. Mezi ndahet nga ajo kur emigrojnë para 27 viteve. Ajo e kishte pritur. “Njëzet e shtatë vjet… as fjalë, as letër… M’ka kaluar jeta me sy kah kodra e madhe duke të pritur, Bardh.” Kaq besnike e kaq besuese ajo, sa që përparësen që e kishte kujtim nga një takim në livadh dikur, e mbante me vete gjithmonë.
Por, ka edhe më tmerr. Të rinjtë shqiptarë që shkojnë të punojnë në mërgim, punojnë punë të rrezikshme. I vret ‘maqina’. Djali i vëllaut të Sokolit e sjell vëllaun e vet në arkivolin mbi veturë, nga Gjermania. Baba i vet nuk pajtohet që edhe ky djalë t’i shkojë prapë në Gjermani, që kishte marrë leje “vetëm për katër ditë”. Siç i thotë Sokoli gruas së varrosur në Turqi: “Më fal nëse mundesh… As vdekjen vdekje nuk mund ta bëra…”.
Tmerri vazhdon me gruan e të vdekurit që nuk ka perspektivë më në atë familje dhe i duhet të kthehet në shtëpi. Foshnjën duhet ta lë te familja e burrit. “Mos mendo se nuk po më djeg zemra… se nuk është lehtë për nënën të ndahet nga fëmiu por… jam e re… vështirë e kam… Bota është e prishur, baba.”
Mbase tmerri më i thellë është çmendja e Hanës, motrës së Sokolit. Ajo i përgjërohet Sokolit të mos e lërë vetëm, në kohën kur Sokoli, i detyruar nga kanosja nga vdekja, vendos të emigrojë. Hana e kishte pasë burrin jashtë, i cili në ndërkohë i kishte pasë vdekur, por që nuk dihej për të.
Në momentin kur i ka vdekë foshnja, ajo është çmendur. Si duket për ta pajtuar i kishin thënë se është shumë sëmurë dhe se duhet ta mbulojnë me dhe. Varrin në oborr, djepin thatë në dhomë. I fanitej nganjëherë vaji i foshnjës, dhe shkonte ta përkundë te varri, derisa ajo qetësohej në mendjen e saj.
Skena më e fuqishme mund të jetë rrahja brutale e gruas nga burri që i kishte ‘vetëm katër ditë leje nga Gjermania’, sepse baba i thotë t’i marrë me veti gruan e fëmijët se nuk mund të kujdeset më për ta. Ai këtë e merr si mesazh se gruaja po e tradhton dhe shkon e e rrah pa asnjë shqyrtim të mëtejmë. “Vetëm burrat e ligj i rrahin gratë!” i bërtet Sokoli teksa e largon me forcë. Gratë duket të kenë qenë të fundit në zingjirin e torturës psikike e fizike dhe në to janë shkarkuar të gjitha.
Element i rëndësishëm është fjala e dhënë e e mbajtur. Sokoli ia jep besën motrës se do të kthehet, gjallë a vdekur, që ta shohë. Dhe vërtet kthehet në një fazë ndërmjet gjalljes e vdekjes. Po ashtu, e rëndësishme është dëshira deri në amanet për t’ia varrosur eshtrat në vendlindje. Sokoli qetësohet, dhe pranon të shkojë në botën tjetër vetëm pasi t’i varrosen eshtrat në tokën e vet.
Agim Sopi me tërë atë kastë bashkëpunëtorësh na e kanë lënë një trashëgimi të vërtetë kulturore. Është një dokumentim i saktë i gjendjes psikike në vitet e 80ta të një kombi të shtypur me shekuj. Një kombi që i mbijetoi të gjithave dhe qëndroi në tokën e vet. Sidomos tani kur na ka kapluar interneti dhe rrjetet sociale, ky komb me moshë mesatare të re, e ka shumë lehtë t’i harrojë e të mos mirret me të kaluarën e vet. Por kush nuk mëson nga jeta, është i destinuar të ngelë dhe t’i përsërisë mësimet.
Në vijim janë pjesët kryesore të nxjerra gjatë shikimit analitik të filmit. Shumë nga fjalitë do të ishin ‘quote’-a interesante për rrjetet tona sociale bashkëkohore.
Një burrë shqiptar largohet nga Turqia, nga familja e vet, e cila tashmë është larguar nga vendlindja, për një të ardhme më të mirë. Shkon për të punuar në Gjermani. “Edhe kësaj here baba, të mëkëmbemi disi, se hollë jemi, ligsht, a po e sheh?” thotë teksa përshëndetet me babën plak që ia përmend nënën e sëmurë dhe gruan që ‘mund t’i nëpërkëmbet’, dhe me të bijën. Muzika e Rauf Dhomit e ilustron atmosferën. Skenari ishte i Agim Sopit e Fadil Hysajt. Bashkëpunëtor i skenarit e producent: Azem Shkreli. Regjia e Agim Sopit.
Gjyshi, Sokoli, me mbesën shkojnë te deti. Ajo e pyet “Gjysh, pse kemi ardhur ne këtu? Kur kemi ardhur?” – “Moti”, i thotë ai dhe i tregon se shtëpinë e kanë pasur “atje, matanë detit, te dielli” që perëndonte bukur.
Në retrospektivë, Sokoli, në moshë të mesme, në vendlindje, tokë shqiptare, duke mbjellë arë në farë, i sheh ca karvane të emigrimit të shqiptarëve dhe shkon t’i përshëndesë me burrëri e dinjitet. Pasi të largohen familje të tëra me qerre, Sokoli, nga malli merr dhé nga toka e vet, e puth dhe e fut në hejbet (thasët) e farës. Një plumb nga kushedi ku, ia shpon thesin. Mesazh nga armiku për dëbim. Në mbrëmje, qentë besnikë të shtëpisë lehin, duke e ndier prezencën e të paftuarve. Edhe një plumb në dritare është mesazhi i dytë. Sokoli me katër burra bisedojnë se si ishte dikush dhe iku. Njëri nga burrat e familjes që është më i ri është i veshur me ‘kat’, ndërsa katër të tjerët janë me veshje kombëtare. Besoj, ilustrohet transformimi i shoqërisë këtu.
“Aaaa, mos qaj motër, mos ma rando udhën” i thotë Sokoli të motrës me një foshnje në dorë. Motra e lut me përgjërim “Merrëm, mos më le qyqe vetëm!”. Ky i thotë se e ka vjehrrin, vëllaun tjetër dhe se “burri gjallë është dikund… S’mund t’ia shuaj oxhakun Lamit, është plak! Dikush duhet t’i gjindet pranë!”. Kur motra i përgjërohet përsëri, Sokoli ia jep besën se i gjallë ose i vdekur do të kthehet… do të vijë ta shohë. Lami i propozon ta marrë, edhe pse i biri i tij është zhdukur pa shenjë, por Sokoli i thotë “Sa të pritësh ti zërin e djalit, kjo le ta pret zërin e burrit!”
Sokoli bisedon me burrat, duke kërkuar leje nga më i vjetri. “Të mirë e të mitë ju kam të gjithëve, mirëpo të gjithë na shkuan. Po shkoj edhe unë të humbem bashkë me ta”… “Prita deri sa plakut mbi varr t’i mbijë një fije bari”. Një burrë ia kujton se thonë “Vendet e huaja t’i lavdërofshin, e në to mos qofshi!”
“Po e marr vetëm këtë shkop… është i plakut, ndjestë pastë!” thotë Sokoli, dhe kjo ngjan me plakun L.M. te Magjia e Urtisë e Daut Demakut, urtakun hebre që në shkop i ka të gdhendura traditat e lashta të kombit të vet.
Një sakat, Rrapi, hyn në derë. Don t’ia blejë tokën, por Sokoli nuk e shet. “Mëkat është që toka të qajë për zot”.
Bardhi, djali i Sokolit takohet me vajzën e fshatit që e do. Ajo e pyet “A do të ktheheni?”. Largohet pa përgjigje.
Edhe një karvan shqiptar i Sokolit me Bardhin emigron me qerre. Motra e Sokolit përshëndetet me mall. Foshnja qan sikur e ilustron vajin e të gjithëve. Vajza që duhej me Bardhin, me nënën e vet del t’iu urojë rrugë të mbarë fqinjve që po shkojnë. Përqafohen me Bardhin me mall. Shikohen për herë të fundit nga afër. Një qen është i lidhur për karrocën e fundit. Sokoli e liron. Bardhi vrapon që ta shohë edhe një herë të dashurën. “Bardh! Mos u kthe pas as mos shiqo!”, e këshillon babai paksa me qortim. Kështu kishin ardhur në Turqi, po i tregonte gjyshi Sokol mbesës.
Një veturë funerale e çon kufomën e gruas së Sokolit te varrezat, nën tingujt e një ezani turk nga xhamia aty pranë. Varrmihësit, shqiptarë të zhveshur nga karakteri, nisin t’i kërkojnë cigare Sokolit dhe t’i marrin pa karar. “A ke me dhanë diçka për shpirt të të vdekurit?” e pyesin pa marre. Ia prezentojnë llojet e varreve, ca me klas, ca më të lira. Një njeri me kat e me sheshir, turk, duket si të jetë mbikëqyrësi i tyre. Kishte edhe varre çifte për dy të vdekur. Njeriu me sheshir i thotë diçka në vesh varrmihësit dhe ai qesh. “Mua më duhet vetëm një varr, për gruan”, thotë Sokoli i plakur. Varrmihësit qeshin: “Po thonë, s’e paske gjatë as ti!”. Sokoli befasohet me këtë pafytyrësi të tyre.
“Plak, s’do t’jepni asgjë për shpirt të gruas?! Është zakon i vendit!”. Sokoli ia kthen, “Unë nuk jam prej këtuhit!” – “Mos jeni katolikë?”…
Varri tashmë është i hapur. “Thirreni hoxhën” thotë një varrmihës. “Jo nuk ka hoxhë… mëkatet janë të mijat” thotë Sokoli… pastaj “Unë vetë e lëshoj”. Hyn në varr dhe bashkë me të tjerë e lëshojnë në tokë. E merr me emocion prej burri të ligshtuar një grusht dhé, del nga varri dhe ia lëshon kufomës me dashuri duke e përhapur kudo mbi trupin e saj. Një grusht burrash që ishin në varrim i shprehin ngushëllime. “Une… po rri edhe pak”.
Sokoli e ka shkopin dhe strajcën e farës së arës që e kishte marrë nga vendlindja. Përgatitet për ni hallashtisje emocionale me gruan që sapo ia mbuloi dheu. “2300… edhe 2000… 4300” ia pret varrmihësi si të ishte shitës çokollatash. “Mendove se për sy të zi punojmë ne?! Ne këtë e kemi bukë!” i bërtet ai kur Sokoli pyet pse. “Nuk kam… Më kanë mbetur vetëm 700. Tjerat ua sjelli kur të më vjen djali.” “Kur s’ke s’asht dashur ta varrosësh gruan!”vazhdojnë ata pa fije njerëzie. “Djali më kthehet sot ose nesër! Ua kthej dyfish!”. “Të mbaj për fjale. Nëse për dy ditë nuk i sjell të hollat, ta nxjerrim gruan jashtë dhe bëj ç’të duash me të!… Maje n’men, dy ditë!”. Sokoli çuditet me ta. Njeriu me sheshir flet turqisht, i nervozuar që ‘iu shkoi dita huq’ dhe largohen. Sokoli ulet te varri, e vë dorën mbi të dhe i thotë “Më fal nëse mundesh… As vdekjen vdekje nuk mund ta bëra…”
Sokoli tash është në dhomë, i lodhur. Reja (një tjetër, jo vajza e fshtatit) hyn e shqetësuar dhe e pyet “Deshe gjë, babë?”. Sokoli flet me frymë të rënduar duke e qajtur të renë se i ka mbetur barrë. “Ndoshta nuk më zë as mëngjesi… prandaj të lus, nëse Bardhi vjen e mua nuk më gjen…” Reja e ndërpret, “Lere, lere, s’je ti për vdekje…” – “…kisha dashur që këtu të mos m’i lini eshtrat!” Dhe e porosit që të mundohet të sillet mirë me njerëzit që vijnë për ngushëllime “Mos na skuq para njerëzve të huaj!”. Ajo, pa fije meraku ia kthen “Mos u brengos fare, babë. S’ka kush të vije! Këtu janë zakone tjera!”. Dhe shkon papërfillshëm. Mbesa e mbulon dhe kujdeset për të. “Mos qaj gjysh… unë do kujdesem për ty.” “Merre një copë letër… dhe një laps” i thotë Sokoli.
Shkruaj, gjyshit, shkruaji babit tënd: “O Bardh, bre bir… pse e more botën në sy e mua më le në skej të botës?!… Pse s’u ktheve t’ia hedhish sate ëmë një grusht dhé fëtyrës? Nënën s’do ta gjesh më!… Ndoshta as mua… mos i le fëmijët nëpër këmbët e botës… eja, zë vend me ta, dhe mos i lë në vend të huaj, se i ke të gjakut!… E shkrove ‘i ke të gjakut’? A e shkrove ‘në dhe të huaj’?… E tash shkruaj: Mua nuk do të më gjesh!”. Mbesa, e habitur e çon kokën dhe pyet thjesht: “Ku do të shkosh gjysh?”
“Nëse nuk e gjen plakun… mos më lër këtu… dërgomi këtë grusht eshtrash në dhé timin…” – “Në dhé timin” përsërit mbesa. “Shqyje letrën dhe jepja Bardhit kur të vijë!” Mbesa e fut nën fustan dhe e fsheh fletoren nën batanije. Reja hyn në dhomë dhe me qortim i thotë mbesës të shkojë të flerë se u bë vonë. “T’u desh gjë, babë?” e pyet sa për të pyetur. “Jo, jo…” – “Natën e mirë!” dhe largohet shpejt.
Sokoli, tashmë i veshur në kat, në Turqi, e vë plisin, palltën e shkopin dhe niset të dalë. Rejës aq i bën teksa kalon nëpër korridor dhe bëhet gati për të fjetur. “Deshe gjë gjysh?” e pyet mbesa teksa ky i shkon te shtrati për t’i thënë natën e mirë. Diçka thehet në shtëpi. “Nuk mundem më gjysh… kur do të vijë babai?… Mami sjell njerëz të huaj në shtëpi…”
Sokoli del në korridor dhe e mbyll derën e dhomës së fëmijëve. Ca zhurma seksi në shtrat dëgjohen prapa derës së resë. Sokoli e hap derën me dhunë. Një mashkull çohet nga shtrati i resë dhe del për dritaren e hapur në përdhesë. Sokoli do ta godasë por ai ik. I tmerruar, do ta godasë të renë e mbështjellë me çarshaf në shtrat, por heq dorë. E pështyn dhe largohet.
Sokoli shkon te deti në mëngjes, si duket tërë natën e ka kaluar jashtë. Një njeri i keq po e përcillte.I teket ta marrë një barkë, të hipë në të, dhe ashtu i stërlodhur, iu jep lopatave kah toka e vet. I keqi me një tjetër hipin në barkën tjetër dhe i shkojnë pas. Si duket janë kriminelë nga borxhlinjtë. Sokoli, si te Plaku dhe Deti, lundron i vetëm në detin e madh. Muzika e ilustron atmosferën. I lodhur, zbret në breg të detit dhe bie pa ndjenja në skaj të detit, valët duke i rënë mbi trup.
Një taksi e sjell Bardhin në qytetin turk. Radio e njëjtë dëgjohet edhe në shtëpi. Gruaja e përqafon burrin e posaardhur. I thërret vajzat që e përqafin me mall babën. “Sa qenke rritur!” i thotë të voglës. “T’jesh shëndosh për nënën!”, i thotë gruaja – “S’arrita as ta varros, të shkretën!… Pse s’më shkrove një letër?” – “S’e dija se do të vdiste, ajo shpesh sëmurej”
Bardhi pastaj e lyp babain, Sokolin, në dhomën e tij, por ai nuk ishte aty. “Qëkur ka vdekur plaka, shtëpia i është bërë ujk!” i thotë gruaja. “Gjyshi ka shkuar” i thotë bija. “Kur e rrokin ato të vetat zhduket nga disa ditë!” i thotë gruaja. – “Po i ndodhi diçka plakut, më mirë vraje veten me dorën tënde!” – “E kam vrarë veten qëkur jam martuar me ty!”, ia kthen gruaja. “…T’i ruaj eshtrat e babës tënd! Më kaloi rinia duke të t’i ruajtur pleqtë! Deri këtu më ka ardhur!”. Gruaja duket të ketë theks të turqizuar. Mund të jetë turke që e ka mësuar shqipen, apo më shumë, shqiptare që tashmë ka nisë të asimilohet. Bardhi ia jep një shuplakë dhe del me vrull. Bija i shkon prapa me ngulm. “Babi, babi, prit!” – “Ik atje!” – “Ta ka lënë gjyshi” dhe ia jep letrën. Bardhi veç sa ia lëshon sytë letrës dhe del me nguti ta kërkojë babën.
Sokoli tani është në një kodër me dele prapa, sikur të jetë në Kosovë. Një mjegull apo tym sikur e paraqet një botë ndërmjet shpirtërores e fizikes. Një njeri me tesha të zeza sikur do t’i bëjë keq. Tre fëmijë shqiptarë të Kosovës, me shkopinj barinjsh e pyesin me habi, “Mos e ke humbur rrugën?” Një surlë me tupan sjell atmosferë dasme. Sokoli, çuditërisht, është në Kosovë. Burra të Rugovës hedhin valle. Sokoli përshëndetet me të zotin e dasmës dhe largohet pak e kthehet të shikojë. Ndalet muzika. Një veturë me një arkivol mbi po afrohet. “Me fat dasma”, thotë shoferi. “Ju shëndosh, i paçi të tjerët” i thotë i zoti i dasmës. “…Mbahuni… ç’t’i bësh… vdekja i ka rrugët e hapura!”
Sokoli po ec me shkopin e tij nëpër një arë. “Puna e mbarë” i thotë një burri që po e punonte tokën aty me të shoqen. “T’kujna jon kto ara?” pyet Sokoli. – “A po m’bojnë sytë a… a je xha Sokoli?” – “Të Sokolit thua, a?” – “Kanë qenë të njëfarë Sokolit. Ai pat shkuar në mërgim qëkur isha fëmijë.” – “A e ke njohur?” – “Kujtoj se e mbaj në mend” – “A ka kend të gjallë ai farë Sokoli?” – “Vëllaun… edhe motrën e ka… ajo është gjallë e ngrata por… ka luajtur pak nga mendja… burri i vdiq heret e… kur i vdiq edhe fëmiu n’djep, u shkallua krejt.” – “Mala është gjallë? A i ka djemtë?” – “Maloja po, dy t’mdhajtë i ka n’Gjermani. Njëri i vdiq atje.
Nëpër mjegull-tym, Sokoli i pa do burra tu hy në një shtëpi. Një burrë me kalë të bardhë për dore e përshëndeti me “Tungatjeta!”. Ishte si duket sakati, Rrapi. Shikohen si me çudi por nuk flasin, largohen. Sokoli shkon te një derë dhe e çel, për ta parë oborrin. Pastaj largohet. Dy fëmijë i shkojnë prapa me kureshtje. Kudo tym-mjegull e tregon prezencën e një bote të ndërmjetme fizike-shpirtërore. Një burrë del dhe e përshëndet tradicionalisht. “Ç’u bë me këtë kullë?” e pyet Sokoli. “O rrzue!”. Shkon te një tjetër aty afër. Një fëmijë i thotë “E shkretë!”. Sokoli ngjitet shkallëve, troket në derë me shkopin e babës, dhe thërret “Uko!” – “Uka ka vdekë!”, i tregon fëmija.
Ai shoferi që e pat sjellë të vdekurin po pi kafe në oborr afër një shporeti. Ky shporet qet tym edhe mbi edhe nëpër një qynkë-kënd që e ka si dalje. Sokoli e kishte kërkuar. Ky e fut në oborr. E fton brenda. Një plak i vjetër del ta përshëndesë. “Tungatjeta Sokol!”. Shoferi thotë disa herë ‘urdhëroni’, por ka një qetësi habitëse mes burrash të moçëm. “A je i Malës?” e pyet Sokoli. Ai pohon. “Të jesh shëndosh për vëllaun!… Edhe ti shëndosh! Si e ke emrin?”, i drejtohet një të riu tjetër. – “Guri!” – “Njëzet e shtatë vjet i ke, Guri i Malës” i thotë Sokoli me një precizitet mbamendjeje prej plaku të kthjellët. – “Njëzet e shtatë”, ia konfirmon ai. – “I gëzofsh!”
Pastaj vjen një grua, dhe e shikon me vëmendje. “A je ti Sokol?” Përshëndeten me dorë dhe mirren ngryk. “Të jesh shëndosh për djalin, fisnike. Paç të tjerët!”. E lusin të hyjë brenda, por meqë Mala nuk ishte aty, u largua me “Mirëmbetshi!”.
Një grua me shikim të çuditshëm të fiksuar e shikon Sokolin, në shtëpinë e saj. “S’po më njeh, motër” – “Motër mos më thuaj! Mos thuaj se je Sokoli, se nuk je”, i thotë me siguri në vete… “Jo… nuk je ti vëllau im Sokoli!… Jo, jo… jo. Nëse je, ti ke shumë faj!” i thotë me mllef, “më ke lënë qyqe vetëm” duke kalu në vaj, “as fjalë…”. Një karakter i gdhendur mirë.
“Motër e mira, ç’është me ty?! Ç’të ka gjetur kështu?” – “Djalin e kam të sëmurë… ka lënguar shumë… E kanë mbuluar me dhe. Qe, aty, deri sa të shërohet… a don ta shohësh?… ka lënguar shumë biri i nënës…”. Një vaj i foshnjes dëgjohet turbullt në largësi. “Po qan… ja nana, ja!” dhe e merr djepin bosh me vete e del jashtë, në oborr, te varri i një fëmije. E përkund djepin afër varrit dhe i këndon ninulë.
“Motër”, e thirr Sokoli, dhe ajo largohet nga djepi. Ecin bashkë ngadalë dhe hyjnë brenda. Foshnja “qetësohet”. “O Zot!… A je ti Sokoli?! Huh, sa qenke plakur!… Nuk je ti Sokoli! Jo! Ik… ik!”, dhe e merr një shkop, sikur do ta largojë një qenie të padukshme që i sillet përreth. “Largohu! Ik! Largohu!” the godet me shkop në ajër… Shpërthen në vaj duke u qetësuar. Sokoli ia kap kokën me dashuri. “Mjera unë!… Të prita keq!… Zërin ta njofta, por fytyrën jo!… Sa qenke nd’rruar!… Ja motra ta kthen bukën!”
Ajo e heq saçin nga një tepsi në të cilën ishte një bukë e pjekur tepër, e nxirë e e forcuar. E merr sofrën dhe e vë afër vatrës. E vë bukën në mes. Sokoli e merr dhe e then një pjesë bukë. “Oh Zot…”, thotë ajo: “…pse po tallesh ashtu me mua?!” dhe e shikon vëllaun me mall teksa e then një copë bukë dhe e fut në gojë.
Hapet dera. “Eja Tringë, eja! E sheh kush më ka ardhur? Më ka ardhur vëllau!”. Tringa është vajza që duhej me Bardhin, djalin e Sokolit. Një vajzë e pastër, tipike shqiptare tradicionale. “Baca Sokol… oh… ta paskam harruar ftyrën!” dhe mirren ngryk. “Kur erdhe, me ke?” – “Vetëm… vetëm Tringë!”. Tringa është e pikëlluar që Bardhi nuk ka ardhur.
Kthehet vaji i foshnjës, si duket vetëm në kokën e motrës së Sokolit. Ajo shqetësohet. “Po qan! Djali, Tringë! Syshkruari i nanës! Qe nana! Qe…” Tringa mundohet ta ndalë. “Ik, ik!” i thotë ajo. Mundohet ta ndalë, po ajo nuk ndalet gjersa arrin me djep te varri i foshnjes në oborr. “Ka fjetë! Mos ia prish gjumin se ka fjetë” e bind Tringa. Vaji zbehet deri në qetësi. E marrin bashkë dhe e fusin brenda. Ajo është e traumatizuar. Shtrihet të pushojë. “Mos më lini vetëm!… O Zot” dhe qan. Ca qenë lehin dhe Tringa del. Sokoli e mbyll derën.
Tringa e takon xha Malon në oborr. “Kishte ardhur Sokoli” i thotë. – “Ç’Sokol moj e marrë” i thotë ai, një plak me fytyrë të tejçuditur. “Vëllau yt e i Hanës ishte kthye! Sa shumë ishte mplakur!… U frigova kur e shikova në fytyrë!”. Mala, i çuditur, shkon te dera, troket lehtë me shkop dhe pyet “A është kush mrenda ej?!” – “Hyr!” përgjigjet Sokoli vendosmërisht. Çuditet Mala. Del Sokoli. “A je ti Sokol, a po m’bojnë sytë?!” Mirren ngryk. Hyjnë brenda të tretë.
“Po ku i le të tjerët?!” e pyet Mala. “Ç’u bë me Bardhin?!” – “Bardhi nëpër botë…”. Tringa shikon me mall e kureshtje. – “Po, plakën a e ke?” – “Plaka vdiq… edhe ty të kish vdekur djali… t’jesh shëndosh, i paç të tjerët…” – “Me ty e shokë shëndosh!… Vëlla, vëlla, vëlla… nuk po iu besoj syve të mi…”. Mala çohet se e ka odën plot njerëz. “Mos u vono, eja” i thotë Sokolit dhe del. “Po dal pak në rrugë” i thotë Sokoli Tringës dhe del. Mala, rrugës i tregon Sokolit: “Eh, e shkreta vashë… Iu faruan të gjithë… ngeli vetëm si qiri… E la kullën shkret e erdh tu Hana… Mos u vono, eja” dhe largohet.
Sokolit prapë i paraqitet njeriu i panjohur me mjegull prapa. Ai (Sokoli) tani është te ara, ku ka gurë të bardhë të mesëm të renditur, larg njëri-tjetrit, një linjë. E merr një gur dhe i bën disa hapa me të, pastaj e lëshon. E merr një gur tjetër, i bën disa hapa dhe del në rrugë. Një mjegull vazhdon ta përcjellë mistikën e atmosferës.
Vjen sakati, Rrapi. “Pse po ve gurë arave?” e pyet ai. Sokoli, plisin e vet e mbush me dhé (si duket Çun Lajçi nga këtu e paska marrë motivin). “Po i ve gurë arës sime, n’mos gabofsha” thotë Sokoli. Rrapi i thotë se po gabon, se ara është shitur. “Kurrfarë toke s’e kam shitur po hiqmu qafet!… I kam hallet e mija!”. Rrapi insiston dhe i thotë të shporret. “Jo Rrapo jo… unë nga toka ime nuk lëvizi!” – “Lëviz ti lëviz, se po të gjeta edhe një herë ta lëviz kaptinën e kresë, a more vesh?!… Nuk dua kurrfarë gurësh, as hijesh, as lugetër nuk dua në arë!”… dhe largohet. “A more vesh?!”
Tashmë është ditë, mbase e nesërmja. Rrapi troket në një derë. Ia kishte pru paret e tokës Malës. Mala nuk ia pranon paratë “e huaja”. “Ta kam shitë një tokë pa zot, po ajo tani ka zot. Ja ku është i zoti i saj.” dhe afrohet Sokoli me Tringën. “Tokën e kam blerë nga të gjallët” thotë Rrapi… “Me të vdekur e me të shpifur s’kam punë”. Si duket sakati, që nuk e ka gjysmën e këmbës, ka pak ‘qasje’ në botën shpirtërore të të vdekurve. Del djali i Malës, ia fut paratë Rrapit në xhep dhe i thotë vendosmërisht të shkojë udhës së vet. Rrapi thotë “Toka nuk hahet… por njerëz ha!”. Djali pothuajse e shtyen nga nervoza. I ati e ndal.
Sokoli i pyet vëllanë dhe të birin e tij në odë: “Mos i bini rrotull! Është e shitur apo nuk është e shitur?” – “Më rrofsh sa malet, or vëlla!… po ne katër muaj që të dinim të vdekur! Rrapi s’na u hoq qafe që s’na u hoq. Ja t’ia shisnim ja ta vrisnim… Thashë, Sokol s’ka më… pasi shkoi djathi le të shkojë edhe hirra… Tokës ia qitëm nifarë çmimi, por kullës jo. Kullën, thashë, s’e shes. E kam të vëllaut. Le të rrin njashtu. Le të endet nëpër te zëri i tij, hija e tij…”, tha me besnikëri Mala. Çmimin ia kishin folur por paratë nuk ia kishin marrë.
Djali i Malës ia len do para e porosi gruas, dhe i lyp ‘plaçkat’. “Ku po shkon o bir kështu?” i thotë Mala. “Po nisem baba!… për Gjermani… pata leje vetëm për katër ditë.” – “Ti në Gjermani ma jo!” i thotë baba me ngulm… “Ia dhamë një Gjermanisë… e hëngri… mjaft!”. Djali i çon duart dhe vazhdon të ecë. “Nuk kam kah t’ia mbaj” dhe i përmend obligimet financiare. Mala insiston të rrijë djali, por “nëse ke vendosë të shkosh, merre edhe gruan tënde me vete! Mua më ka lëshuar laku. S’mund t’u vij më rreth as fëmijëve as gruas tënde!” – “Aha!… aty paska vajtur puna!” dhe niset i nervozuar kah shtëpia. “Unë rjep lëkurën nëpër botë e ti luaj bishtin, e poshtër, me paratë e mija!” dhe e godet shuplakë gruan që s’di ç’po ndodh. Gruaja duket e pafajshme. Ai vazhdon me disa të rëna dhe “Merri plaçkat e baju prej shpisë, se t’myta!… Bushtër…” – “Unë e shkreta…”
Hyn Sokoli. Mbase skena ma e fuqishme. “Heee, t’u morrën met!” i thotë të riut. E ndal me dorën e majtë. Në të djathtën e mban shkopin. “…Vetëm burrat e ligj i rrahin gratë!” i bërtet. I riu vazhdon me “I kofsh falë këtij plaku se…” por Sokoli insiston me burrëri, “Përjashtë! Përjashtë!”. Madje edhe me forcë e nxjerr. Një vajzë e vogël plas në vaj e lemeritur, e një më e madhe shikon me habi e pjekuri më të madhe se mosha. E ëma, e keqtrajtuar pa faj e merr ta qetësojë fëmijën. Gratë duket të kenë qenë të fundit në zingjirin e torturës psikike e fizike. Gurbetçari del me protestë e nervozë me veturën e tij si duket me targa të jashtit, dhe në këtë gjendje niset për gurbet. Ajo vajzë e vogël vazhdon të qajë, për të gjithë aty.
Djali i vogël i Malës dëshiron të largohet por Mala insiston “ta çojnë litarin deri në fund sepse është nisur”. I thotë “A ke dashtë ta ndash tokën?”. Plas problemi tjetër. Sokoli thotë se kur litari hyn, duhet të ndahet toka, por se mund të presë edhe ndonjë ditë. “Mos e trazo më shumë shtëpinë e familjen, vëlla!”
Rrapi ec duke shkepuar te ara. Burrat po e ndajnë tokën. Djali i vogël i Malës (Guri) i mat hapat dhe me kazmë e çel një vend për një gur. Rrapi thotë se ka ardhë t’ua bëjë për hajër ndarjen, me gjasë i interesuar ta blejë ndonjë tokë. Madje i thotë Gurit për ndonjë copë. Guri, i mllefosur e rrëzon Rrapin dhe i thotë “Ngopu!”. Merr dhé nga toka dhe ia mbush gojën. “Është i gjymtë, ore!” i bërtet Sokoli Gurit. E ndajnë disi, sidomos Sokoli. “Turp të kesh!” i thotë. Rrapit i kishte rënë diçka e mbështjellë me një copë të kuqe. Sokoli e sheh se është një revole. Ia rimbështjell dhe ia gjuan. “Rrapo… merre edhe këtë!”.
Në këtë kohë, motra e çmendur e Sokolit vrapon me djep në dorë nëpër lumë, ndërsa Tringa mundohet ta ndalë e ta qetësojë. I bashkohen edhe burrat. Sokoli i thotë “Hana, ndalu!… Qetësohu motër, qetësohu…”. Ajo qan. “Ka vdekur, vëlla! Ka vdekur syshkruari i nanës!” dhe e përkund djepin pa kontroll. Sokoli ia kap duart. Ajo është e rënë. E përcjellin bashkë.
Vjen një Fiqë (veturë e vjetër) e bardhë në oborr. Disa burra që i fusin në odë. “Si je bijë… si je motër” janë baba dhe vëllezërit e nuses së të vdekurit. Plaku mysafir e pyet të zotin e shtëpisë se a po mërziten dhe i thotë “mos u mërzitni… ju shëndosh…”. Një zë fëmije, qan në sfond, në dhomë tjetër.
“Motro, nëse ki ndërmend të vish me ne, bëhu gati!” i thotë një vëlla mysafir nuses. – “Ndoshta po gaboj”, thotë Mala, “po nuk po m’duket e hijshme ta merrni gruan kaq shpejt! S’ka as një javë që i ka hyrë burri në dhe”. Sokoli, te foshnja që është në duar të së ëmës thotë “S’ka më as burrë, as gjuhë burrash!… Nuk mund të mirremi vesh!”
Gruaja po shkon. Mala i thotë për të fundit herë: “Nëse ma ke dashur djalin, dhe e don këtë fëmijë që e ke të gjakut, rri! Mos e le të rritet nëpër këmbë të huaja! Do të kujdesem për te sipër fëminë tim!” – “Mos mendo se nuk po më djeg zemra” thotë reja me vështirësi, “…se nuk është lehtë për nënën të ndahet nga fëmiu por… jam e re… vështirë e kam… Bota është e prishur, baba.” Dhe ia jep foshnjën gjyshes dhe merret ngryk. E puth foshnjen për të fundit herë.
Sokoli prapë ngjitet në kullë me shkopin e tij të babës. Brenda i shfaqen shpirtra të bardhë. Duket se është më afër botës shpirtërore. Është një lojë artistike me gurin e varrit. Bisedë me të vdekurit për arsyet e ‘shkuarjes, jo të vdekjes’. E sheh edhe dhëndrin… “Ti dhëndër s’m’u ktheve, ma le Hanën vetë…”. Në fund, për njërin thonë se nuk flet. Nuk mundet se është varur atë vit në dardhë. Karakterët janë të bardhë, me copa dheu, sikur të kenë dalë nga varret. Ka edhe femra. Në ndërkohë vjen ai sulmuesi i zi. “Merre gurin” i thonë ata, dhe Sokoli me atë gur e godet sulmuesin në kokë mbase për vdekje.
“O baca Sokol!” thërret Tringa nga jashtë. Del Sokoli. “Xha Malo po vdes!” Sokoli zbret nga kulla. Malën e shtrijnë në karrocë. “Mahu he burrë!” si duket po e çojnë te mjeku. “Kthehu babë!” i thotë një bijë.
Në oborr hyn Bardhi me një valixhe. E sheh Hanën, hallën e vet. “Kush je ti?!” pyet ajo prapë me dyshim. “Nga je?” – “Jam Bardhi, Bardhi i Sokolit!” – “Oh, vëllau i motrës!” dhe i hidhet në përqafim. “Po si më pike nga qielli!… E kam ditur që do të vish. Më ka thënë Sokoli” – “Sokol zë në gojë oj hallë?!” dhe muzika e mbulon bisedën. Ajo e merr përdore sikur do ta çojë te Sokoli. Një muzikë dramatike dhe hyrje në kullë. “Sokol?” thirr Hana te vatra… “S’është…”
Hana shkon poshtë te maxhja ku po gatuante Tringa. “Ku është Sokoli, Tringë?” – “Nuk është në dhomë?” – “Jo nuk ishte.” – “Paska shkuar” – “Ka ardhë Bardhi, Tringë!… Bardhi!” dhe e sjell Bardhin me taku Tringën.
Bardhi e Tringa takohen pas njëzet e shtatë vitesh. “Oh Zot!”, thotë Tringa e habitur, “a është e mundur t’jesh ti?!” – “Unë jam Tringë… unë, por koha ka bërë të veten…”.
Tringa i fshin duart me një përparëse të verdhë. Një skenë në retrospektivë i qet Tringën e Bardhin tek takohen në një livadh, e ajo përparëse ishte aty. Tringa e kishte mbajtur atë përparëse që nga ajo kohë.
Ulen të bisedojnë. “Ulu Bardh, ulu të të shoh.” – “Si je moj Tringë?” – “Si po më sheh, Bardh… E lënë, e harruar… fërfëlluar nëpër jetë…” – “Mos fol qashtu!” – “Eh more Bardh… M’ka plasur zemra… Nuk jam ajo Tringa e dikurshme…” – “A je martuar? A ke fëmijë?”, pyet Bardhi si normalisht. – “Si po t’i ze goja këto fjalë, Bardh?! Njëzet e shtatë vjet rini të ka pritur Tringa… Njëzet e shtatë vjet mërgimi… ti me trup… unë me shpirt… Ti Bardh… ti më mbulove me dhé… më bëre të vdekur Bardh…” – “Nuk e kam ditur! Nuk kam besuar se më mban në mend!” – “Njëzet e shtatë vjet… as fjalë, as letër… M’ka kaluar jeta me sy kah kodra e madhe duke të pritur, Bardh.” – “Harrom Tringë… harrom. Unë nuk të kam hije më. Jam martuar… Kam fëmijë…”
Dikush troket në dritare. “Ta shoh kush është” thotë Tringa dhe çohet. Bardhi e merr valixhen dhe del jashtë pas Tringës me Hanën. Një plak pyet a është Sokoli këtu. Ai çmallet me Bardhin. Tringa e fut brenda xha Dinin. “Ma jep valixhen” i thotë Bardhit. Bardhi reagon papritmas shumë ashpër, duke mos ia dhënë. Qetësohet shpejt dhe hyjnë brenda.
“Ku është?” pyet Dini për Sokolin. “Diku në ara” i thotë Tringa… “shetit shpesh andej”. – “Për ke e keni” pyet Bardhi. – “Për babanë tënd” thotë Tringa. – “Gabim e keni! Unë nuk kam baba.” – “Ç’po flet ashtu Bardh?” pyet plaku Din… “Unë dje kam nejur me të”. – “E pamundur. Babai më ka vdekur moti. Kur jam kthyer nga mërgimi eshtrat ia kam gjetur afër një kepi. Ma ka lënë amanet t’ia sjell në vendlindje. Ja ku i kam.” dhe e shikon valixhen. – “Pa dale nji herë dale… I kujt je ti? I cilit” pyet Dini me habi. – “I Sokolit… kjo që po e flisni ju është e pamundur” – “Po mirë, mirë… nga erdhe? Kah hyre në këtë shtëpi?!” – “Nga vie e gjithë bota. U ktheva ta kryej amanetin e babait.” – “Zoti qoftë me ty bir!” thotë Dini dhe çohet shpejt. Del i tmerruar. Femrat e përcjellin në oborr. “Merre Hanën e ejani. Mos rrini me këtë të paudhë! Kushedi se ç’mund t’ju ndodhë!” – “As unë s’po kuptoj për ç’t’vdekur po flet… po e njof se është Bardhi” – “Dëgjoje ti xhaxhain! Ikni prej tij!” dhe del. Hana del edhe ajo. “Ku po shkon Hanë?” – “Ta shoh ku është Sokoli!”.
Tringa kthehet në dhomë. Bardhi nuk e ka të qartë çka po ndodh dhe është i lodhur. “Asgjë s’po shkon mbarë sonte” thotë ajo dhe shkon ta bëjë darkën. Bardhi mbulohet me palltë dhe e mbështet valixhen për vete. Në derë hyn Sokoli, në atë atmosferën e mjegullt. Afrohet te Bardhi që e ka zënë gjumi. Ia merr valixhen me kujdes pa e zgjuar. E shikon me çmuarje. E çel valixhen. Duken ca eshtra të mbuluar me një çarçaf të bardhë. E heq çarshafin. E merr kafkën. E shikon kafkën e vet. E kthen në vend dhe e mbyll valixhen. Largohet me shkopin e tij. Del nëpër derën me mjegull.
Bardhi zgjohet. E sheh se i ka lëvizë valixhja. Gjithsesi e kap dhe me nxitim del jashtë. Ec në oborr si të ketë ndier diçka. E lëshon valixhen dhe e merr një kazmë. Nis ta çelë varrin. “O Bardh!” e dëgjon një zë. Prapë gërmon. Qenë dëgjohen tek lehin larg. Bardhi me lopatë e çel varrin. Sokoli e shikon nga një pozitë më larg, sikur a po ia kryen amanetin. Vjen Tringa me darkën e me llampë ndriçuese. Varri tashmë thuajse ishte përfunduar. Bardhi e merr valixhen. “Çka po bën Bardh?” Ai e merr kafkën dhe e pozicionon te pozita përkatëse në varr. “Të jesh shëndosh” i thotë Tringa ndërsa ai e merr kafazin e krahërorit dhe e vendos te vendi i vet. Ia gjuan do dhé përmbi. Sokoli e shikon tanimë i qetësuar nga larg. Bardhi e mbulon me dhé varrin. Ia vë edhe një gur te koka. E merr ujin nga tabaku që e mbante Tringa dhe e njom varrin me përkushtim nga koka te këmbët dhe prapa. E rregullon edhe pak. Në këtë moment, Sokoli që paska qenë te dritarja larg duke shikuar, largohet padikutueshëm.
Tringa, me zë të arsyes, pyet “Ke të ftohtë Bardh?”. Larg dëgjohet një “O Bardh!” – “Eja të ta ndez zjarrin”, i thotë Tringa. – “Si po thërret?!” – “S’po marr vesh!… Ndonjë udhëtar që e ka zënë nata… Eja Bardh.” Zëri i paqartë prapë thërret, ‘O Bardh…’.
Hyjnë brenda. Vatra është e fikur. Dëgjohet ende “O Bardh.” Disa herë. Edhe Tringa e dëgjon. “E dëgjon?” pyet Bardhi. Del të shohë kush është, nuk e lë Tringën. Jashtë është një atmosferë e mjegullt. Një kalimtar e përshëndet Bardhin edhe me dorë madje. Një kalë me qerre kalon shpejt. Sikur ta ketë marrë Sokolin përfundimisht.
Bardhi shkon te ara. Ka mjegull ende. I sheh gurët. Tringa i afrohet. “A po sheh?” Një shkop, si duket shkopi i Sokolit i babës, i ngulur vertikalisht, me një plis mbi. Bardhi do ta prekë, por Tringa nuk e lë. “Mos e prek Bardh!”
Filmi mbaron me dy personazhe, të dashur të zemrës, të habitur nga kjo jetë e çmendur.