Janë zhvilluar sot takimet e javës së 32-të Superligës së Kosovës në futboll, ku skuadrat që pretendojnë titullin e kampionit kanë shënuar fitore, ndërkohë që kur jemi te skuadrat gjilanase që bëjnë gara në elitën e futbollit kosovar, Drita ka shënuar fitore të rëndësishme, për të vazhduar hapin drejt Evropës, por edhe për të qenë akoma në garë për titull kampioni, ndërkohë që skuadra tjetër Gjilani ka barazuar, dhe pika e fituar është e vlefshme për t’i ikur barazhit.
FC Drita ka shënuar fitore të vlefshme në duel me Fushë Kosovën. Rezultati final i takimit ishte 3:1. Dy gola për skuadrën bardhekaltër i realizoi Blend Baftiu (6’, 53’) dhe një gol Besnik Krasniqi (77’). Për skuadrën mysafire golin e vetëm, të nderit. e realizoi Dorent Hajdari (74’).
Drita, tani ka 62 pikë në vendin e tretë dhe nuk është dorëzuar akoma në garën për titull kampioni, ani se ka dy pikë më pak se Llapi i dyti dhe 4 më pak se Ballkani, që kryeson tabelën.
Ndërkohë skuadra tjetër gjilanase, ka luajtur si mysafire ndaj Malishevës pa gola dhe pika e fituar është shumë e vlefshme për skuadrën kuqebardh, për t’i ikur barazhit, aq më të vlefshme e bëri këtë pikë, humbja e Feronikelit 74, edhe kjo skuadre që po luan për t’i ikur barazhit, por që tani ka një pikë më pak se Gjilani.
Pra, tani Gjilani zë vendin e shtatë me 35 pikë dhe gjendet jashtë zonës së rrezikshme e cila e dërgon në barazh, e në pozitën e tetë, atë të barazhit është Feronikeli 74 me 34 pikë.
Përndryshe ndeshjet e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në Futboll kishin këtë epilog:
Drita – Fushë Kosova 3:1
Malisheva – Gjilani 0:0
Ballkani – Dukagjini 3:0
Llapi – Feronikeli 74’ 3:2
Liria – Prishtina 0:1