Dy skuadrat gjilanase që bëjnë gara në Superligën e Kosovës në futboll, Drita dhe Gjilani i kanë zhvilluar sot ndeshjet e javës së 12-të. Drita është mposhtur në Suharekë nga Ballkani, derisa Gjilani ka shënuar fitore si nikoqire ndaj skuadrës së Feronikelit.
Derbi i kësaj jave padyshim që ishte ballafaqimi Ballkani – Drita. Lideri nga Suhareka doli fitues i kryendeshjes dhe me këtë fitore e ka rritur diferencën e pikëve edhe më, ndaj Dritës, ndjekëse.
Portokallezinjtë shënuan fitore minimale me golin e Lumbardh Dellovës, në minutën e 36-të. Tani ata janë përforcuar edhe më në pozitë ne parë me 29 pikë. Ndërkohë që, Drita ka regjistruar humbjen e parë, por vazhdon ta mbajë pozitën e dytë me 22 pikë. Kjo diferencë prej shtatë pikëve e largon paksa skuadrën gjilanase nga objektivi për titull, megjithatë deri në fund të kampionatit ka akoma lojë dhe synimi i Dritës do të vazhdojë të jetë titulli.
Në anën tjetër, tri pikë të rëndësishme i ka fituar skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani e cila në këtë xhiro, si nikoqire, para “skifterëve”, e ka mposhtur Feronikelin ’74, me rezultat 2:1.
Për gjilanasit shënuan Redon Ismaili (44’) dhe Nasko Milev (63’) derisa për mysafirët golin e vetë me shënoi Alban Shillova (88’).
Tani skuadra që drejtohet nga Gentian Mezani mbanë pozitën e gjashtë me 14 pikë të grumbulluar nga 4 fitore e 2 barazime, prej gjithsej 12 xhirove.
Ndërkohë, ndeshja e tretë e javës së 12-të që u zhvillua sot ishte në mes të Malishevës dhe Prishtinës që e fituan vendësit me rezultat 1 me 0. /2LONLINE/