Kf.Drita ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit kampion, derisa në kuadër të xhiros së 26-të ka triumfuar ndaj Besës në Pejë me rezultat 0-2.
Golat u shënuan në pjesën e parë, kur për mysafirët shënuan Haxhi Neziraj dhe Astrit Fazliu. Gjatë gjithë ndeshjes, Kf.Drita pati iniciativë dominuese në pjesën e parë, duke bërë presion e krijuar raste. Pjesa e dytë ishte më e qetë, por mysafirët kishin krijuar komoditet nga dy golat e epërsisë.
E kjo fitore ishte e veçantë edhe për një arsye tjetër, përpos tri pikëve të plota.Kf.Drita kishte plot 16 vite që nuk e kishte shijuar fitore në stadiumin “Shahin Haxhiislami”.
Këtë e kishte në memorie edhe kryetrajneri i Dritës, Bekim Isufi, pasi ishte lojtar dhe po atë vit fitoi titullin kampion me bardhë e kaltërit.
“Fitore e vështirë, por e rëndësishme. Në Pejë nuk kishim fituar që nga koha kur Drita e pati fituar titullin e kampionit, në vitin 2002. Sot, luajtëm mirë në pjesën e parë, krijuam epërsi prej 2:0, por në të dytën ishim krejt ndryshe”, deklaroi Isufi pas ndeshjes.
Por, përkundër fitores, trajneri Isufi u tregua i matur në deklaratën e tij, pasi shtoi se deri në fund të kampionatit duhet fituar gradualisht çdo lojë dhe pikë.
“Fusha e mirë lejoi lojë të mirë, pasi erdhi në shprehje kualiteti i lojtarëve të Dritës. Atë që kemi punuar gjatë tërë javës, futbollistët e aplikuan mirë në fushë. Për renditjen do të flasim në fund të kampionatit, pasi ne i marrim ndeshjet një nga një”, përfundoi Isufi.
Drita me fitore ndaj Besës ka përforcuar pozitën e parë dhe tani ka 50 pikë, teksa pejanët mbeten në zonën e barazhit. Kf.Drita ka gjashtë pikë më shumë se Prishtina, por kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar dhe nesër takohen me Flamurtarin.
/Elife Sherifi/