Kf.Drita ka shënuar një fitore të rëndësishme si mysafire në Gjakovë, duke mposhtur Kf.Vllaznimin me rezultat minimal 0:1.
Loja u karakterizua nga një ritëm i shpejtë dhe me angazhim e të dyja klubeve. Përderisa, vendasit nuk patën ndonjë rast të qind për qind, në anën tjetër bardhë e kaltërtit rrezikuan dy herë, me anë të kapitenit Ardian Limani dhe Xhevdet Shabani.
Megjithatë, pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa u deshtë minuta e 70-të për t’u realizuar goli.
Goli i Endrit Krasniqit në minutën e 70-të ka mjaftuar për t’i siguruar tri pikë të plota për Dritën dhe shënuar fitoren e 11-të sezonale.
Me këtë fitore, Kf.Drita arrin në shifrën e 44 pikëve, një pikë para vendit të dytë, Kf.Prishtina.
Edhe në këtë ndeshje, tifo-grupi ‘Intelektualët’ nga Gjilani kishin udhëtuar për të përkrahur klubin e zemrës, kurse në Gjakovë prezentë ishin edhe Kuq e Zinjtë e Kf.Vllaznimit.
Kjo ishte një mundësi e shfrytëzuar mirë nga ana e Kf.Dritës, pasi me tri pikë të plota rrëmbeu kreun e tabelës, për herë të dytë në këtë sezon.
Ndeshjet kampionale shkojnë në një pushim dy javor për shkak të lojërave dhe agjendës me kombëtaren.
Ndeshjen e ardhshme, Drita e pret në shtëpi KF Flamurtarin.
/Elife Sherifi/