40 vite pa Rexhep Elmazin, Ars Clubi “Beqir Musliu” planifikon një shënim të denjë të këtij përvjetori

40 vite pa Rexhep Elmazin, Ars Clubi “Beqir Musliu” planifikon një shënim të denjë të këtij përvjetori

Më 25 maj të këtij viti, mbushen 40 vite nga vdekja e dhunshme e atdhetarit, ish të burgosurit dhe poetit Rexhep Elmazi, të cilin një dorë e zezë shqiptari e plagosi rëndë më 16 maj të vitit 1978. Pas, përballjeve nëntë ditësh me plagët e marra, ndërron jetë. më 25 maj 1978 në Qendrën Spitalore të Prishtinës.

Të botuar la vëllimin poetik FRYMËMARRJE si dhe një tubë vjersha në dorëshkrim, prej të cilave shpëtuan vetëm ato që fatmirësisht ishin të botuara nëpër ndonjë revistë apo gazetë të përditshme të kohës, në Prishtinë e Shkup.

Në vitin 1993, të gjitha gjetjet poetike të Rexhep Elmazit, u botuan në një vëllim përmbledhës me titullin FRYMA, i cili u përgatit nën përkujdesjen e shkrimtarit të shquar po nga Gjilani, Beqir Musliut, nën titullin FRYMA.

Po gjatë viteve të nëntëdhjeta ( 1993 – 1998 ) u mbajt dhe manifestimi letrar nëntëditor PRANVERA E LIBRIT, që i kushtohej këtij njeriu të paepur të lirisë dhe bashkimit të shqiptarëve.

Pas luftës, ky Manifestim më nuk u vazhdua.

Në vitin 2008, në 30 vjetorin e vdekjes së tij të dhunshme, u botua studimi letrar i Tahir Arifit ( POEZIA E REXHEP ELMAZIT ( temë magjistrature ).

Edhe pesë vite më pas, më 2013, Ars Clubi “Beqir Musliu”, si asociacion alternativ shkrimtarësh, e përkujtoi poetin në 35 vjetorin e vdekjes përmes një Takimi letrar.

Këtë herë, kur po mbushen 40 vite pa Rexhep Elmazin, Ars Clubi “Beqir Musliu”, planifikon një shënim të denjë të këtij përvjetori.

Pas disa takimeve të drejtuesve të këtij asociacioni letrar po, edhe familjarëve të Rexhep Elmazit, është propozuar një PROJEKT LETRAR, i cili i është adresuar Komunës së Gjilanit për mbështetje e ku parashihet që nga mesi i majit e deri në ditëvdekjen e këtij atdhetari, të organizohen një serë veprimtarish.

Është menduar që të organizohen gara të recitatorëve në nivel komunal, ku garuesit do të paraqiten vetëm me poezitë e Rexhep Elmazit, në bashkëveprim me Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Gjithashtu, mendohet dhe po punohet në përzgjedhjen e poezive të Rexhep Elmazit në një vëllimi poetik, shkrimet e ndryshme rreth jetës dhe veprimtarisë së tij krijuese – vlerësuese po, edhe ribotimi i studimit letrar “Poezia e Rexhep Elmazit” e autorit Tahir Arifi.

Më këto tri botime letrare, në formë kompleti, nëse nuk do të mungojë mbështetja nga institucioni më i lartë i komunës – Kuvendi, do të paraqiten më 25 maj në një Akademi Përkujtimore që do të mbahet po në Gjilan.

Ars Clubi “Beqir Musliu” është në vlugun e këtyre përgatitjeve , pavarësisht se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive për mbështetje nga institucionet komunale të Gjilanit, Kuvendi dhe Zyra e Kryetarit të komunës.

Nga Ars Clubi “Beqir Musliu”

KOMENTE