Kf.Drita ka shënuar fitoren e radhës ndaj Kf.Vllaznia me rezultat 2:0. Kjo fitore u jep kaltër e bardhëve tri pikë të rëndësishme drejt titullit kampion.
Për një ecuri të mbarë janë të vetëdijshëm edhe tifozët “Intelektualët”, të cilët po e presin titullin kampion tash e 16 vite, pas triumfit të Kf.Dritës në vitin 2002.
Për ta përkrahur klubin e zemrës, tribina u mbush plot nga tifozët e të gjitha moshave dhe nga të dyja gjinitë, ndërsa qershia mbi tortë krahas fitores e atmosferës, ishte festa e tifozëve ne fund të lojës së cilës iu bashkuan edhe lojtarët.
Por, kjo fitore ishte më e veçantë, pasi me të, Drita arriti te shkruaj një rekord të ri në futbollin kosovar. Kf.Drita është klub i pamposhtur tash e 22 ndeshje gjatë këtij kampionati dhe me këtë statistikë thyhet rekordi i Kf.Besës së Pejës me 21 ndeshje pa humbje të shënuar vite më parë.
Për këtë fitore, festa vazhdoi edhe në një nga lokalet në qytet, ku një grup tifozësh nuk e ndalnin këngën. Në po të njëjtin vend ishin prezentë edhe kryesia e klubit dhe vet lojtarët.
E njëri nga tifozët, Festim Shabani, u shpreh optimist se trofeu i kampionit këtë vit do t’i takoj Dritës.
“Ne jemi në rrugë të mirë dhe këtë e tregojnë rezultatet tona. Kam qenë më i ri kur është fituar titulli i parë dhe një titull kam vite që e pres. E di që nuk jam vetëm unë , janë me mijëra ‘Intelektual’, të cilët e ndjejnë dhe e përkrahin pandal këtë klub. Prandaj, them se gjeneratë pas gjenerate do jemi këtu për Dritën dhe këtë e din të gjithë. Çdo fitore është motiv më i madh, dëshirë më e flaktë dhe dashni e pakursyer”, ka thënë Shabani.
Dy golat për Dritën i shënuan Fidan Gërbeshi, nga penalltia dhe Drilon Musaj për rezultatin përfundimtar.
Aktualisht, Kf.Drita kryeson tabelën me tri pikë më tepër se Kf.Prishtina dhe duket se gara për titullin kampion e që siguron kualifikimet në Champions League do të jetë pikërisht mes këtyre dy klubeve.
Megjithatë, deri në fund të këtij edicioni janë edhe 6 lojë, ndërsa në xhiron e 28-të, Drita takohet me Kf.Llapin.
Edhe për këtë ndeshje, udhëheqësi i tifogrupit ‘Intelektualët’, Taulant Byqmeti premtoi udhëtim të organizuar në Podujevë.
/Elife Sherifi/