Skuadra e Dritës ka arritur të shënojë fitore, të enjten, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 14-të në Raiffeisen Superligë, duke e mposhtur Ferizajn, me rezultat 1:0. Me këtë fitore gjilanasit janë ngjitur në pozitën e 7-të, me 19 pikë, derisa Ferizaj ka bërë një hap prapa në garën për titull të kampionit.
Në bankinën e Dritës debutoi në këtë edicion Arbnor Morina, i cili e ka marrë drejtimin e kësaj skuadre pas largimit të Milaim Zuzakut. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ismet Shabani” në Ferizaj, ka dhuruar lojë të hapur nga të dyja skuadrat, e ku nuk kanë munguar as rastet para njërës dhe portës tjetër.
Megjithatë, fituesin e kësaj ndeshje e ka vendosur gafa e portierit vendas, Ilir Avdyli, në minutën e 22-të, kur një gjuajtje në formë harkimi e mbrojtësit të gjilanasve, Fidan Hasani po thuajse nga mesi i fushës përfundoi në rrjetën e tij. Në fakt, rrezet e diellit në këtë rast dolën të ishin ‘fajtore’ që portieri i ferizajasve nuk arriti ta perceptojë topin si duhet dhe ai të përfundojë në rrjetën e tij. /RTK/fotoFFK/