U deshtë të vije java e pestë në Superligën e Kosovës në futboll, që reparti sulmues i skuadrës së Dritës, të çelet në apetit, dhe të jetë tejet efikase. Skuadra gjilanase FC Drita ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4 – 0, ndaj FK Llapit.
Timonieri i Dritës, Ardian Nuhiu nuk përtonte ta lavdëronte Dritën për lojë të mirë edhe në xhirot të tjera ani se ishte i pakënaqur me pjesën e konkretizimit të kësaj skuadre, e cila në javët e mëhershme kishte dy barazime dhe një fitore, takime këto kur kishte shumë raste shënimi por të “papërkthyera” në gola.
Përndryshe, një ndeshje, atë me Prishtinën, Drita nuk e ka zhvilluar akoma.
Kryetrajneri Nuhiu thoshte se nuk brengosej nëse skuadra luan mirë edhe nëse nuk e fiton lojën, sepse sipas tij, kur skuadra luan mirë, do të vije patjetër edhe fitorja. Dhe, kjo ndodhi, si duket, me Llapin, pasi reparti ofenziv i skuadrës bardhekaltër u tregua efikas, duke tundur e shkundur plotë katër herë portën kundërshtare, por pa u tërhequr nga loja sulmuese, madje as kur rezultati ishte 4 – 0, për çka u krijuan edhe disa raste tjera shënimi, e nuk munguan as goditjet në shtyllat e portës mysafire.
Madje, ajo çfarë ra në sy, ishte edhe trajneri Nuhiu që sot u tregua mjaftë i zëshëm, qoftë kur qortonte lojtarët e tij, qoftë kur iu jepte komplimente, madje edhe pas rezultatit të thellë në dobi të ekipit që drejtonte, duke përçuar kështu dëshirën e tij edhe për më shumë gola nga lojtarët e tij.
Drita e cila në garat evropiane po luan mirë, po di të mos e shpërfaqë atë lojë edhe në lojërat e para në kampionatin vendor, andaj takimi i sotëm me Llapin, mund të jetë një gjetje e “çelësit”, qysh Drita të ndriçojë edhe në Superligë, aq më shumë kur njihet si klub që ia përcakton vetes synimet më të larta, e dihet se rruga për Evropë kalon nëpër ballafaqime me skuadrat vendore.
Andaj kjo fitore e Dritës ndaj Llapit (4- 0), pra jo vetëm me efikasit të repartit sulmues, por edhe pa pësuar gol, pra efikase ishte edhe reparti mbrojtës, që ruajti portën e paprekur, mund të shihet edhe si një gjetje e skuadrës në elementin që duhet të jetë, andaj mbetet të shihen javët në vazhdim, për të mësuar se apo shkon tutje para, performanca e saj, apo kjo me Llapin ishte lojë fati.
Sido që të jetë, java e pestë për skuadrën e Dritës, ishte e frytshme dhe se një fitore prej 4-0, erdhi me dygolëshin e Besnik Krasniqit, të dy nga pika e bardhë, derisa nga një gol për bardhëekaltërtit gjilanas, e shënuan edhe Almir Kryeziu dhe Marko Simonovski.
Përndryshe, nuk dihet akoma se kur Drita do ta luaj ndeshjen e mbetur ( java e 3-të) me Prishtinën, porse, pas këtyre pesë javëve, nga këto katër lojë të tjera, ajo ka 8 pikë, dy fitore, dy barazime, që e pozicionojnë për momentin në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit. /M.H/2LONLINE/