Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Caritasin zviceran (CaCH), në kuadër të projektit “Ndikimi i Rinisë në Mjedis”.
Drejtoresha e DKA-së, Albana Demiri, ka thënë se për një kulturë ndryshe për rëndësinë e ambientit në komunën tonë janë përzgjedhur gjashtë shkolla tek cilat do të formohen klubet ekologjike për ruajtjen dhe kujdesin e ambientit të jashtëm.
Ajo ka informuar se sipas kësaj marrëveshje, CaCH do të sigurojë trajnime cilësore për mësimdhënësit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike përmes master trajnerëve. Njëkohësisht, CaCH do të sigurojë planin e veprimit, trajnimet, këshillimin dhe mentorimin cilësor për anëtarët e eko-klubeve.
Gjithashtu, CaCH do të përzgjedhë dhe kontraktoj kompanitë për sigurimin e pajisjeve, materialeve dhe shërbimeve që janë pjesë e projektit mjedisor të përzgjedhur, si dhe do të bëjë dorëzimin e tyre tek DKA.
Ndërsa, DKA do të sigurojë gjithë mbështetjen e nevojshme administrative dhe logjistike si dhe burimet njerëzore, me qëllim që të asistojë në zbatimin e papenguar të aktiviteteve të projektit. /2LONLINE/