‘Në Komunën e Gjilanit tashmë ka përfunduar me sukses korrja e drithërave të bardha. Fushata e korrje – shirjeve fillojë me datë 5 Korrik dhe ka përfunduar me sukses, duke u korrur edhe kallinjtë e fundit me datën 25 Korrik 2024’, ka thënë Bajram Isufi, drejtor i drejtorisë për Bujqësi e Pylltari në Komunën e Gjilanit.
Ai bëri me dije se në fushatë morën pjesë 50 autokombajna, të cilët për 20 ditë arritën të korrin rreth 2800 ha me grurë, 120 ha me elb dhe 10 ha me tërshërë, aq sa ishin të mbjella për këtë vit në Komunën tonë. Komuna përmes Drejtorisë për Bujqësi ka subvencionuar fermerët me 200 ton farë të grurit.
Sipas drejtorit, Komisioni Komunal për korrje–shirje, gjatë tërë kohës ka përcjellë në terren fushatën e korrjeve. Sipas tyre këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka shkuar shumë mirë. Kushtet atmosferike ishin tē përshtatshme dhe nuk kishte probleme që vlenë për tu theksuar.
“Falë kushteve klimatike që mbretëruan këtë vit dhe masave agroteknike që kanë aplikuar fermerët, këtë vit u arriten rendimente rekorde. Rendimentet mesatare për hektar sipas kulturave janë: • Te gruri 4750 kg/ha, Te elbi 4430 kg /ha dhe Te tërshëra 2200 kg/ha”, thuhet në njoftimin e Komisionit Komunal të korrje-shirjeve për vitin 2024. /2LONLINE/