Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së) z. Rashit Qalaj, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të PK-së, po merr pjesë në ‘Kongresin e Policisë Evropiane’ i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë, duke filluar nga sot e që do të zgjasë deri me 20 shkurt 2019.
Pjesëmarrja në këtë kongres, përveç tjerash do të shfrytëzohet edhe për rritje të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me policitë evropiane në përgjithësi dhe me strukturat policore të Gjermanisë në veçanti.
Përpos bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, vizita ka për qëllim shkëmbimin dhe rritjen e përvojave në parandalimin dhe luftimin e rreziqeve dhe kërcënimeve në fushën e sigurisë, përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, krimin kibernetik, migrimin ilegal etj.
Gjatë kësaj vizite do të synohet edhe mundësia rreth shfrytëzimit dhe avancimit të teknologjisë për nevoja të institucioneve të zbatimit të ligjit.
Pjesëmarrja në këtë kongres pritet të rezultojë me shkëmbimin e eksperiencave më të mira, ku të gjitha shtetet pjesëmarrëse, e në veçanti PK-ja gjatë pjesëmarrjes do të angazhohet maksimalisht për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin me të gjitha shtetet pjesëmarrëse.