Më datë 26.06.2024, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me Zëvendësdrejtorin e përgjithshëm z. Fehmi HOTI dhe Atasheun Kimberly Riffe, DOJ-ICITAP pranë Ambasadës Amerikane vizituan veriun e vendit, gjegjësisht njësitet policore të Policisë Kufitare dhe ata të Rendit Publik në Jarinje, Leposaviq, Bërnjak dhe në Banjskë ku me 24 Shtator 2023 u vra Rreshteri Afrim Bunjaku.
Drejtori HOXHA bisedoi me zyrtaret policor të cilët ishin në kryerje të detyrave, duke u interesuar për gjendjen e përgjithshme, sfidat, vështirësitë dhe realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore në atë pjesë të vendit.
Ndër të tjera, në takimet me zyrtarët policorë, drejtori i përgëzoi ata për punën e angazhimin në kryerje të detyrave duke ofruar siguri për të gjithë pa dallime etnike dhe sundim të rendit e ligjit.
Po ashtu, delegacioni nga Prishtina, u prit edhe nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policore Mitrovicë Veri z. Veton Elshani, i cili njoftoj eprorët e PK-së rreth gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri të vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me bashkëpunëtorë vizitoi dhe vuri kurorë me lule, në vendin e rënies së heroit të Kosovës, Enver Zymberit, njofton Policia e Kosovës. /2LONLINE/