Shefik Surdulli, shef i Zyrës për Informim në Gjilan, të gjitha këto vlerësime i ka cilësuar paushalle e pa kurrfarë baze, ngase siç ka thënë ai, procesi i aplikimit, intervistimit, poentimit, dhe zgjedhjes së tyre, ka qene fare korrekt dhe i paanshëm, me ç’rast janë sjell pikërisht vlerat shoqërore, profesionalizmi, po dhe aftësia menaxhuese e kandidatëve.
“E kemi thënë disa herë dhe tash vetëm sa e përsërisim se drejtorët janë rezultat i kritereve të institucioneve të arsimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj komunale, në bazë të të cilave, paneli intervistues ka bërë vlerësimin profesional pa asnjë interferim nga askush”, ka thënë Surdulli.
Ai më tej ka shtuar se janë të vetëdijshëm se Gjilani ka potencial të shkëlqyeshëm e të bollshëm për menaxherë të shkollave, por komisioni në mënyrë profesionale dhe pa anime, kësaj radhe ka vlerësuar këta.
“Mirëpo, akuzave të AAK-së dhe të tjerëve para saj, se drejtorët vijnë nga partia në pushtet (PDK), mund t’u themi se ata nuk kanë zbrit nga Hëna, të gjithë janë të planetit Tokë; janë të Komunës së Gjilanit, por janë të ndryshëm për nga bindjet partiake. Pra, këta drejtorë nuk janë kopilë”, ka thënë Surdulli.
Përndryshe, procesi i zgjedhjes së drejtorëve të disa shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Gjilanit, tash më ka mbaruar dhe pas kalimit të të gjitha procedurave ligjore, ata tash më kanë filluar punën. /2lonline/