Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës në Komunën e Kamenicës, Burbuqe Leka, ka pritur në takim Drejtoreshën për programe në OJQ “Toka”, Hatixhe Zeka, dhe Koordinatoren për projekte në këtë OJQ, Triera Shala.
Në këtë takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit lidhur me vullnetarizimin në shkolla. Drejtoresha Burbuqe Leka ka falënderuar përfaqësueset e OJQ “Toka” për bashkëpunimin e deritanishëm lidhur me projektin e zhvilluar në Kamenicë të quajtur “Dita e Solidaritetit”.
“Ka qenë një punë e mirë të cilën e kemi bërë në bashkëpunim me ju dhe bizneset të cilët punësuan nxënësit vullnetarë, ku me pagesat e tyre u krijua një fond i solidaritetit dhe më pas u mbështet një kauzë për dhenien e ndihmës financiare një vajze e cila ishte e sëmurë. Andaj ju falënderoj për bashkëpunimin lidhur me këtë projekt”, ka thënë ajo. Në anën tjetër Drejtoresha për Programe tek OJQ “Toka”, Hatixhe Zeka, duke falënderuar poashtu drejtoreshën për bashkëpunimin dhe kontaktet e ndara me biznese, ka thënë se janë të gatshëm që të njëjtin projekt ta realizojnë edhe këtë vit.
“Ne jemi të gatshëm që prapë ta realizojmë të njëjtin projekt, ku pretendojmë ta bëjmë në maj Ditën e Solidaritetit, dhe tani në mars të fillojmë kontaktet me bizneset që t’ua shpejgojmë sërisht këtë projekt. Vitin e kaluar ata 25 të rinjë që u angazhuan përzgjodhën vetë kauzën që ishte ndihma financiare dhuruar një nxënëse e cila ishte e sëmurë dhe kishte nevojë për mbështetje financiare.
Andaj në bashkëpunim me ju shpresojmë që të njëjtën gjë ta bëjmë edhe këtë vit”, ka thënë ajo. Ndër të tjera në këtë takim Koordinatorja për projekte, Triera Shala, tha se po ashtu ka qenë e planifikuar që vullnetarët që ishin pjesë vitin e kaluar së bashku me vullnetarët që do të jenë pjesë këtë vit, t’i dërgojnë në një ekskursion një ditor, e poashtu do të realizohet edhe një kamp, ku vullnetarët do të jenë pjesë e kampit në mënyrë që të trajnohen si të bëhen liderë. /2LONLINE/