Sot, në Drejtorinë e Përgjithshme, kolonel Gazmend Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, priti në takim përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në Kosovë z. Queiros me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi po ashtu nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Gazmend Hoxha dhe z. Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në mes të Policisë së Kosovës dhe OJQ – KKAFZHK.
Me këtë marrëveshje rregullohet bashkëpunimi në mes palëve nënshkruese dhe ka për synim skanimin-digjitalizimin e dosjeve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, materiale këto të mbledhura dhe të ruajtura nga KKAFZHK.
Kjo komponentë e projektit realizohet përmes UNDP-së me përkrahjen financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar (UK). /2LONLINE/